Prokuroria e Lezhës ka vendosur të pushojë ndjekjen penale për çështjen që ka të bëjë me sekuestrimin e 5.5 milion eurove në janar të këtij viti.
Vendimi është marrë 10 ditë më parë nga prokurori i çështjes, i cili pasi realizoi një sërë veprimesh hetimore, doli në konkluzionin se eurot e ardhura nga Zvicra dhe Suedia, në drejtim të një të moshuari Pjetër Voci nga Gjadri i Lezhës, nuk ishin financa të përfituara nga aktivitet kriminale.
Gjatë hetimit 12 mujor familja Voci, arriti të siguronte prova, si kontrata dhe balance financiare të disa kompanive në Zvicër dhe Suedi, që vërtetonin se këto para ishin të ligjshme. Kjo sasi e madhe në euro, vinte në Shqipëri nga miliarderi suedez Sten Aken, 78-vjeçar dhe përfituese ishte familja Voci nga Gjadri.
Nisur nga kjo situatë, prokuroria ka tërhequr dhe sekuestron duke lënë të lira llogaritë bankare të anëtarëve të familjes Voci në Lezhë. Me vendim gjykate në janar 2019, familjes Voci i janë vendosur në sekuestro preventive gati 5,5 milionë euro dhe shumë apartamente të blera së fundmi nga persona dhe kompani të ndryshme.
Më datën 22 janar, prokuroria nisi procedimin penal të referuar nga policia për pastrim parash dhe më 23 janar gjykatësi Artan Hajredinaj pranoi vendosjen në sekuestro preventive të llogarive bankare të Pjetër Vocit dhe bashkëshortes së tij, dy bashkëshortë të moshuar.
Në emër të 83-vjeçarit Pjetër Vocit, suedezi Sten Ake Lindholm, ka bërë disa transferta bankare, më e madhja është 3.8 milionë euro, duke dhënë shpjegimin se është dhuratë për mikun e tij të dashur. Ka rezultuar se sapo ka marrë paratë, familja Voci ka blerë një apartament të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka në Shëngjin.
Po kështu ata kanë blerë disa prona edhe nga Flamur Hoxha, vëllai i ish-deputetit të PD, Bedri Hoxha në Tiranë. Tashmë pas një vit hetime, prokuroria ka vendosur të pushojë këtë çështje, pasi nuk u arrit të siguroheshin prova për akuzën e “Pastrimit të parave”.