Operacioni “Forca e Ligjit” ka sekuestruar fuoristradën e blinduar tip Jeep të Dashamir Gjokës. Burime nga policia, thanë se automjeti i blinduar ndodhet tashmë në drejtorinë e Policisë së Durrësit.

Në zbatim të aktit normativ Anti-KÇK ky vendim sekuestroje është marrë si masë emergjente me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas kërkesës së OFL-së.

Më herët, më 5 shkurt, Operacioni “Forca e Ligjit”, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, i kishte dërguar kërkesën me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Dashamir Gjokës.

Për sekuestrimin e ambienteve të tij tregtare, dhe bizneseve që ai zotëron do të duhet vendimi i Gjykatës, pas verifikimeve të dosjes që OFL dorëzon në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.

Biznesmeni i njohur, i ka shpëtuar ligjit anti-mafia dhe mundi të rimarrë pas pasuritë e konfiskuara nga Gjykata për Krime të Rënda në vitin 2017.

Dashamir Gjoka, me banim në Durrës, rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”. Dashamir Gjoka u arrestua në vitin 2013 pas një kërkesë të palës italiane për ekstradimin e tij pas procesit atje për trafikim të qenieve njerëzore. Por kjo kërkesë nuk u ekzekutua asnjëherë pasi gjyqësori shqiptar në të tre shkallët e tij e refuzoi ekstradimin dhe pse Prokuroria e Durrësit e lejoi atë.

Procedura nga formulari tek sekuestro
Pas plotësimit të formularit për pasuritë, përgjigjet e marra do t’i dërgohen Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.

Sapo të bëjë këtë vlerësim nëse ka dyshime të arsyeshme për pasuri me burime jo të ligjshme, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.

“Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët”, ka deklaruar më herët OFL.

Kjo do të thotë se personat e dyshuar për pasuri të ardhur nga krimi, por edhe familjarët e tyre që mund të kenë me letra prona të dyshimta, do të kenë barrën e provës për të faktuar para gjykatës se pasuritë e tyre i kanë me burime të justifikuara. Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

Pasuria e Dashamir Gjokës është konfiskuar edhe më herët, në vitin 2017. Gjykata për Krime të Rënda në sajë të hetimit pasuror në zbatim të ligjit anti-mafia dhe një hetimi pasuror nga Prokuroria e Durrësit (në 2016-ën) për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, vendosi konfiskimin me dyshimin se super-pasuritë e regjistruara në emër të Dashamir Gjokës dhe familjarëve të tij në një vlerë mbi 200 milionë lekë të reja, janë vënë nga aktiviteti kriminal në Itali, ku rezulton i dënuar me 7.5 vite burg.

Ky vendim erdhi pas një procesi të gjatë, nisur prej vitit 2015 kur prokuroria kërkoi sekuestron e pasurive të tij, duke e detyruar Dashamir Gjokën të deklaronte burimin e pasurisë se tij dhe justifikimin e saj me fatura apo transaksione bankare. Por më tej, Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, një vendim të cilit prokuroria i bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Por me vendimin e Apelit, i cili është i formës së prerë, të gjitha supër-pasuritë e sekuestruara të biznesmenit nga Shijaku, u liruan.

Në kërkesën për konfiskim, prokuroria për Krime të Rënda në atë kohë, deklaronte se “gjatë fazës hetimore, i pandehuri dhe mbrojtja e tij paraqitën disa dokumente jo-zyrtarë, në bazë të të cilave justifikonin faktin se pasuritë ishin krijuar nga huamarrja prej personave të ndryshëm. Në asnjë rast, këto huamarrje nuk provohen me dokumentacion të rregullt ligjor, duke krijuar bindjen se ato janë fiktive, me qëllim mbulimin e të ardhurave të pajustifikuara”.

Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të Dashamir Gjokës “nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave,fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij”, shprehej prokuroria

Artikulli paraprakTIRANA MUND VLLAZNINË NË “LORO BORIÇI”
Artikulli tjetërPOLICIA DHE FNSH KONTROLLE PËR PERSONA TË SHPALLUR NË KËRKIM,PËR ARMË DHE DROGË