Policia e Shtetit Shqiptar, ka reaguar pas operacionit antidrogë në Greqi, ku u sekuestruan 1.2 ton kokainë nga Karaibet, ndërsa në pranga u vunë edhe 5 shtetas shqiptarë.

Policia thotë se ka patur një rol të rëndësishëm me hetime proaktive.
“Në Atika të Greqisë u finalizua një tjetër goditje e madhe ndaj grupeve të organizuara që merren me trafikimin ndërkombëtar te drogës. Ky është një nga çështjet më të mëdha të trajtuara nga Divizioni i Luftës ndaj Drogës, për goditjen dhe shpërbërjen e një organizate kriminale, që ka transportuar në mënyrë sistematike, sasi të konsiderueshme kokainë nga Karaibet në Evropë dhe Afrikën Veri-Perëndimore.

Gjatë konferencës për shtyp, të mbajtur në Greqi, Drejtori i Sigurisë së Atikës, Petros Jeferis tha: “Ky operacion u parapri nga muaj te tera hulumtimesh sistematike, të cilat zgjatën më shumë se gjashtë muaj, në bashkëpunim me Zyrën e DEA ne Ambasadën Amerikane në Athinë, autoritetet e Policisë Shqiptare dhe Policisë Spanjolle, ndërsa zhvilluam bashkëpunim ndër-sektorial me SDOE ne Ministrinë e Financave dhe degës se Prokurorisë për lende narkotike dhe trafikim, si dhe Rojën Bregdetare Greke”.

Në këtë operacion Policia e Shtetit shqiptar mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hetime pro-aktive që u zhvilluan duke dhënë një ndihmesë dhe kontribut në identifikimin e personave të organizatës, roleve te tyre individuale dhe në mënyrën e funksionimit të organizatës kriminale, gjë që na mundësoi të identifikohen dhe konstatohej plotësisht përbërja dhe veprimtaria e saj”, thote policia.

Operacioni është në vijim dhe Policia e Shtetit është duke kryer detyrat e saj në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë operacion për identifikimin e persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Artikulli paraprakPD-VELIUT, SHKODRA E KËRCËNUAR NGA BANDAT JO NGA VJEDHJET
Artikulli tjetërEKZEKUTOHET ME ARMË ZJARRI 45-VJEÇARI SHQIPTAR