Sot bëhet një viti nga sulmi i terroristëve serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Teksa mori pjesë ne homazhet që u bënë ditën e sotme te varri i policit të vrarë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit.
Ai kërkoi mbështetjen dhe përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë që Serbia të marre përgjegjësi për financimin dhe dirigjimin e grupit paramilitarë që cenuan sovranitetin e Kosovës.
Nga ana tjetër, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar një vjetorin e rënies së dëshmorit, rreshterit Afrim Bunjaku.
“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.