Ky ka qenë një nga se zonet më të vështirë në Superiore. Kjo, referuar mungesës së qetësisë, sigurisë, si dhe tensionit të pranishëm në një masë të madhe për ecurinë e deritanishme në tri fazat e para. E gjithë kjo sigurisht që nuk ka vetëm një shkak dhe vjen për disa motive.

“Panorama Sport” ka evidentuar disa nga motivet që kanë sjellë këtë klimë të tensionuar të ndeshjeve në kampionat, duke evidentuar edhe rastet që e kanë bërë Superioren të citohet herë pas here në “kronikën e zezë”, ku futbolli ka rënë viktimë.

10 incidente të rënda që kanë cenuar rëndë edhe garën. Shembull? Rasti me Kamzën ku përjashtimi nga gara diktoi pikavarazhin për vazhdimësinë në Superiore apo edhe ecurinë në Kupën e Shqipërisë.

MOTIVET

I pari shkak ishte sigurisht vendimi për largimin e policisë nga administrimi dhe ruajtja e rendit në shkallët e stadiumeve. Kjo dha impakt negativ, duke qenë se kryesisht dhuna në stadiume vjen nga tribunat VIP

dhe njerëzit që kanë një post apo pretendojnë se kanë fuqi të pacenueshme për të diktuar edhe verdiktet e lojës. Së dyti, mungesa e një kulture sportive e ka bërë stadiumin një arenë ku domosdoshmërisht kërkohet fitorja dhe se çdo veprim i papëlqyeshëm për ekipin e zemrës shoqërohet me reagim të dhunshëm.

Motivi i tretë lidhet pashmangshmërisht me sjelljen e institucionit që drejton dhe menaxhon garën. FSHF shpesh ka vepruar me dy standarde, duke lënë edhe vend për vetëgjyqësi, nga mungesa e besimit se mund të ketë trajtim uniform përgjatë të gjithë garës.

Së katërti, shkak është edhe fakti që deri më tani, askush nuk ka bërë burg për në aktivitetet sportive dhe për aktivitetet sportive. Sigurisht, masë ekstreme e dënimit, por edhe parandaluese për mospërsëritjen në serie të ngjarjeve të tilla.

“KRONIKË E ZEZË”

Goditen, dhunohen, rrihen, në spital, dhunë, kaos… Janë disa nga fjalët e përdorura shpesh në raportimet e ndeshjeve të futbollit shqiptar. Duket si kronikë e zezë. Edhe pse vitet kalojnë, diçka e tillë ka mbetur në vendnumëro si një problematikë serioze dhe shumë e madhe e futbollit tonë. Për arsyet nga më të ndryshmet. Më poshtë janë disa nga ngjarjet e shëmtuara në fushën e futbollit. Jo vetëm në Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë.

Gjyqtari

Aty ku ndoshta është më e shpeshtë dhe e pareklamuar sa duhet, por Tomori e ka humbur një ndeshje në tavolinë. Sa për Superioren, Kamza e pësoi ekstremisht, teksa u përjashtua nga gara dhe e zbritën dy kategori më poshtë, duke hedhur në rrugë të gjithë futbollistët.

17 GUSHT 2018 Skënderbeu-Partizani 1-0

Në vitet e fundit ka qenë gjithmonë një ndeshje e nxehtë dhe me shumë rivalitet, për shkak të objektivave që kanë pasur dy skuadrat. Skënderbeu dhe Partizani në fushë donin të tregonin se cili ishte më i forti në fushën e lojës, por të njëjtën gjë bënë edhe tifozët në tribuna dhe në pistën e stadiumit “Skënderbeu”.

Ishte e para ndeshje e edicionit 2018- 2019. Pati një sherr masiv dhe goditje me sende të forta nga të dyja palët. Fillimi i sezonit nuk ishte premtues. Pati dhunë që në start.

6 NËNTOR 2018 Tirana-Kukësi 0-0

Ndodh që të përplasen dy tifozëri të kundërta, tifozët me arbitrat apo me futbollistët rivalë. Por në kryeqytet ndodhi tjetër gjë. Tifozët bardheblu zaptuan fushën e lojës dhe kërkuan të sulmonin disa nga lojtarët e Tiranës për rezultatet e dobëta që kishte skuadra e tyre në ato momente. Reagim ekstrem i mbështetësve bardheblu.

25 JANAR 2019 Skënderbeu-Partizani 0-1

Jemi sërish në Korçë dhe në një ndeshje Skënderbeu-Partizani. Ndryshon vetëm stina, nga vera në dimër, por jo sjellja dhe rastet që shëmtojnë futbollin. “Topa bore hedhin tifozët tanë…” do të tingëllonte kënga e njohur shqiptare. Edhe pse këtë herë nuk është e bukur si këngë. Por shumë e shëmtuar madje. Sepse gjyqtari anësor Fatmir Lamaj u godit me një top bore. Dikush provoi shënjestrën, por harroi që kjo nuk është sjellja e duhur për në stadium.

26 JANAR 2019 Kukësi-Laçi 0-0

Një ditë më vonë. Nga Korça në Kamzë, aty ku Kukësi kishte zgjedhur të luante ndeshjen ndaj Laçit. Nga goditja me top bore në një goditje me boçe pishe. Tjetër akt i dhunshëm dhe i turpshëm i tifozëve që nuk e justifikon kurrsesi asgjë, madje as një vendim i gabuar i arbitrit. Një tjetër asistent, Denis Rexha, goditet dhe përfundon në spital.

2 SHKURT 2019 Kastrioti-Skënderbeu 2-1

Tjetër skandal në FushëKrujë. Lojtarët e Skënderbeut u rrahën barbarisht përpara fillimit të ndeshjes, duke e shndërruar pragsfidën në një kaos të vërtetë. “Na gjuajtën me shkopinj dhe gurë”, deklaroi Kristi Vangjeli asokohe. Ekipi korçar u mund edhe në fushën e lojës, por vështirë se mund të flitet për futboll kur lojtarët sulmohen dhe jeta e tyre vihet në rrezik.

23 SHKURT 2019 Partizani-Flamurtari 3-1

Sikur fusha e lojës të ishte shtëpia e tyre, pa u menduar dy herë për veprimet, tifozët e Partizanit sulmuan dhe goditën fotografin e skuadrës së Flamurtarit. Tifozët thanë se u provokuan dhe fotografi pretendoi të kundërtën, por pak rëndësi ka se i kujt ishte faji. Një gjest i tillë shëmton një ndeshje futbolli, e nxjerr atë në plan të dytë. Ky nuk është qëllimi…

3 MARS 2019 Kamza-Laçi 1-1

Tjetër akt i shëmtuar dhe barbar u shënua në Kamzë. Aty ku sapo përfundoi ndeshja kundër Laçit, u godit arbitri kryesor i ndeshjes, Eldorian Hamiti. Fusha e lojës u shndërrua në arenë boksi me tifozë dhe drejtues të ekipit vendës, që sulmonin arbitrin duke e bërë për spital. Më tej, vendimi drastik: Përjashtim nga gara dhe zbritje dy kategori më poshtë.

17 MARS 2019 Kastrioti-Tirana

“Dhunë psikologjike dhe fizike. Kushte skandaloze sigurie dhe teknike. Ka qenë një sfidë e mbushur me tension nga minuta e parë deri në minutën e fundit të lojës ajo mes Kastriotit dhe Tiranës. Prej sekondës së parë deri në fund të lojës dhe pas ndeshjes gjërat kanë rrjedhur për së prapthi dhe jo siç duhet të luhet futboll.

Që në fillim të sfidës, situata ka qenë shumë e tensionuar, edhe pse në fushë nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe, veç cilësisë së lojës që ka qenë skandaloze. Gjithçka ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes. Në fillim, duke shtyrë trajnerin Ardian Mema dhe më pas duke ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj gjithë ekipit dhe lojtarëve të veçantë”, kjo ka qenë skena e raportuar për ndeshjen mes Kastriotit dhe Tiranës, e përfunduar 1-0. Një imazh i keq për futbollin.

30 MARS 2019 Tirana-Laçi 1-1

Tensioni i prodhuar prej vendimeve të gjykimit, me shtyrjen e lojës me 3 minuta më shumë sesa koha shtesë prej gjashtë minutash, bëri që një tifoz në sektorin e mbështetësve të Tiranës në tribunën qendrore të godasë me shishe plastike arbitrin anësor, Nertil Bregasi. Si të mos mjaftonte vetëm kaq, në korridoret e stadiumit u përfshi në skena dhune presidenti i Laçit, Pashk Laska, djali i tij, Kleo Laska, zëvendëstrajneri i kurbinasve, Klevis Hima, me lojtarin e Tiranës, Majkëll Ngo (të ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës).

3 PRILL 2019 Laçi-Tirana 2-0

Ndeshja e Kupës në fushë dhe brenda stadiumit nuk pati asnjë incident. Të dyja klubet pranuan verdiktin e fushës për kualifikimin e Tiranës në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Mirëpo, Policia e Shtetit deklaroi se në mbrëmje ka ndodhur një sherr në kryeqytet mes presidentëve të klubeve, Pashk Laska dhe Refik Halili, të cilët janë hetuar në gjendje të lirë.

Artikulli paraprakRUDINA HAJDARI TAKON ZYRTARIN E LARTË AMERIKAN: SHBA, ENGJËLLI MBROJTËS I SHQIPËRISË
Artikulli tjetërURGJENTE NË KOSOVË/XHAXHAI: NIPI BËN 30 GJILPËRA PËR T’U QETËSUAR