Rritja e kostos së jetesës ishte e përhapur në të gjithë globin në vitin 2022. Prandaj, rezultatet e anketës vjetore të Economist Intelligence Unit (EIU) që krahason koston e jetesës në qytete të ndryshme anembanë botës, nuk janë befasuese. Konkluzioni i përgjithshëm i hulumtimit është se rritja mesatare e kostos së jetesës për vitin 2022, krahasuar me një vit më parë, është 8.1%.
“Lufta në Ukrainë, sanksionet perëndimore kundër Rusisë dhe politikat e Kinës me zero Covid kanë krijuar probleme në zinxhirin e furnizimit, i cili i kombinuar me rritjen e normave të interesit dhe ndryshimet në normat e monedhës kanë çuar në një rritje të kostos së jetesës në të gjithë botën. ”, thotë shefja e kërkimit në EIU, Upasana Dutt, në një deklaratë pas shpalljes së rezultateve. Ajo shton se “Ky ndikim është i qartë, pasi rritja mesatare e çmimeve në 172 qytetet që kemi studiuar në kërkimin tonë është më e madhja në 20 vitet që kemi pasur të dhëna dixhitale. Rritja e karburantit ka qenë e konsiderueshme, por gjithashtu ushqimi, shërbimet komunale dhe mallrat e tjera shtëpiake po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për banorët e qytetit.” Në një vit me kosto të lartë jetese, cilat janë qytetet më të shtrenjta për të jetuar?
10 qytetet më të shtrenjta në botë për Economist Intelligence Unit:
1- Nju Jork dhe Singapori
2- Tel Aviv
3- Hong Kongu dhe Los Anxhelosi
4- Cyrih
5- Gjenevë
6- San Francisko
7- Paris
8- Kopenhagen.