Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar marrëveshjen e prokurorisë me Mikel Shallarin, të riun nga Kuçova, i vetmi deri tani i arrestuar për vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku.

Prokurori i çështjes Henrik Ligori paraqiti sot për miratim në gjykatë akt marrëveshjen e firmosur me Mikel Shallarin për dënimin e tij me 10 vite burg.

Në bazë të Kodit të ri të Procedurës Penale në momentin kur një i pandehur pranon të bashkëpunojë me prokurorinë me qëllim marrjen e statusit të të penduarit, për të lehtësuar pozitën e tij, e gjithë kjo konkludohet në një akt marrëveshje që duhet të zyrtarizohet në gjykatë.

Akt marrëveshja është nënshkruar në fazën e hetimit me të arrestuarin kundrejt ndihmës që ai ka dhënë në zbardhjen e ngjarjes duke treguar se kush ishte porositësi dhe ndërmjetësi. Me këtë kërkesë të prokurorisë. (akt marrëveshjen) ka qenë dakord dhe vetë Mikel Shallari dhe avokati i trashëgimtarëve të viktimës.

Duke pranuar marrëveshjen, gjykata ka vendosur dënimin e Mikel Shallarit me 10 burg siç ishte rënë dakord në fazën e hetimit.

Ndërkohë nga organi i akuzës mësohet se dosja e Mikel Shallarit është ndarë nga dosja e Bledar Jambellit dhe Kristaq Leci ose Gerti Kajo.

Bledar Jambelli nga Fieri ose i njohur ndryshe si Rikardo Muka, është personi i dyshuar si porositës i vrasjes së kryekomisar Artan Cukut. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila me 17 prill të këtij viti ka caktuar për të masën e arrestit me burg në mungesë.

Mikel Shallari ishte kontraktuar si ekzekutori i krimit. Bledar Jambelli akuzohet se ka paguar për ekzekutimin e ish-drejtorin e Policisë së Vlorës. Hetuesit thonë se porositësi i dha Shallarit fillimisht shumën prej 3 mijë eurosh, ndërsa pjesën tjetër të pagesës do t’ia bënte pasi të kishte kryer vrasjen, të cilën e realizoi më 8 prillin e vitit 2017, në derën e pallatit ku banonte kryekomisari në rrugën e “Kosovarëve” në kryeqytet.

Kristaq Leci është ndërmjetësi. Këta të dy janë shpallur në kërkim dhe hetohen në një dosje të veçuara nga ajo e Shallarit tek Krimet e Rënda.

Artikulli paraprak671 KILOGRAMË DROGË, ARRESTOHET NJË PERSON
Artikulli tjetërVRASJA NË VLORË E BIZNESMENIT, DYSHIMET E POLICISË