Në Pallatin e Brigadave është zhvilluar ceremonia e 100-vjetorit të Tiranës, ku të pranishëm ishin qytetarë dhe personalitete që kanë kontribuar në të mirë të vendit dhe kryeqytetit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri thirrje që të gjithë të bëhen bashkë për të mirën e vendit për të ecur përpara, ashtu si në epokën e Skënderbeut, shpalljes së pavarësisë dhe Kongresit të Lushnjes.
“Ahengu, e bukura dhe pasioni, janë tre gjërat ku mbështetet filozofia e Tiranës. Tirana na do të gjithëve njëlloj. Kur mbështesim njëri tjetrin nxjerrim më të mirën nga zemra jonë. Po kur e japim më të mirën tonë? Edhe ne e japim kur jemi të gjithë bashkë, shikoni epokën e Skënderbeut, të pavarësisë, Kongresi i Lushnjes. Kujtoj luftën e dytë botërore, është i vetmi kryeqytet që u çlirua pa ndihmën e të huajve, kujtoni 1990, në këtë sallë ka qenë takimi i studentëve me regjimin. E kujtoj që kjo bashki, u transformua në 2000-2011.
Sot duhet të luftojmë kioskat e tjera, aty ku kemi inatet, mëritë dhe dogmat. Ringritje me cdo kush dhe çmim pas tërmetit. Jemi duke përgatitur 9 lagje të reja, që shekulli i ri të na gjejë më të fortë. Edhe sot këtu jemi bashkë, të majtë të djathtë. Lutja ime është të jemi bashkë si tani edhe jashtë mureve. Ne shpresojmë që të kuptojmë historinë tonë, rrugën që na ka sjellë. Metafora më e bukur e Tiranës është familja jonë e shenjtë. Tirana ka kaluar 130 kombësi të huaja, duke e bërë kozmopolitan, ndërsa ka kaluar mbi 1 milion banorë” tha Veliaj.
Në fjalën e tij kryeministri Rama ka rrëfyer një histori që tregonte interesin e lartë për të ardhur ambasador i BE-së në Shqipëri, pasi aplikimet ishin shumë të larta krahasuar me vendet e tjera. Por përse interesi është i lartë për të ardhur në Tiranë? Edi Rama shpjegon arsyet sipas tij.
‘Nuk e mbaj mend saktë vitin, por mbaj mend që ishte i hapur vendi i punës për ambasadorin e BE-së dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane që më tha cfarë ndodh me Shqipërinë? Nuk e kuptova.
Kemi disa vende për ambasador dhe kemi hapur aplikimet dhe për vendet e BE-së ka një mesatare të zakonshme 9-10 aplikime, për vendin në Tiranë 41 vende. Përveç asaj tha se ka ambasadorë aktuale që janë ambasador dhe pozicione të larta në vende të tjera që kanë qenë dhe duan të rikthehen. Po kush janë i thashë? Nuk më tregoi. Mora vesh se njëri ishte sekretari i parë në një nga vendet më të larta të botës.
Më shkroi, është e vërtetë, më tha, pasi ke qenë në Tiranë, nuk ka kontinent që ta mbush syrin. Mbase këta që vijnë nga BE janë të lodhur me rregull, disiplinë, standarde dhe monotoni, atë që vijnë nga Amerika ndoshta ndihen si papa kur shkon në Argjentinë…është një qytet që 100 vite më parë ishte shumë i vogël, por u ndërtua nga shumë duar që ia lanë stafetën njëra tjetrës me hir apo pa hir dhe që vunë tullat e tyre duke sjellë kultura, vizione dhe percpetime të ndryshme.
E nisën komunitetet fetare, pastaj erdhën, austriakët, italianët, komunistët, liri-demokratikasit dhe në fund fare erdhi Lali Eri. Kthen kokën në 360 gradë dhe duket sikur je në katër kohë dhe botë të ndryshme. Po 100 vitet e tjera cfarë do të ndodhë? Asnjëherë strategjitë, politikat, planet nuk do e pengojnë Tiranën që të jetë befasuese, do të jetë një qytet që të gjithë do të duan të vendosin rregullin dhe secili ta prishë pak” tha ai.
‘Tirana është Amerika jonë e vogël. Lum si ne që jetojmë në Tiranë’. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në pallatin e Brigadave në ceremoninë e 100 vjetorit të Tiranës. Para të ftuarve, personaliteteve dhe ambasadorëve të SHBA-BE-së, kreu i qeveria u shpreh se sfidat për shekullin e ri që nis nesër janë të shumta për Tiranën.
“Dua ti referohem Kadaresë kur thotë se ‘Tirana gdhin aq pabesisht e hijshme sa nuk di për cfarë ta marrësh delir apo qytet’. Kjo frazë i ka brenda të gjitha. Tirana është Amerika jonë e vogël. Tani kohët ka ndryshuar dhe me të drejtë, Amerika na kërkon të bëhemi si Amerika sot.
Është vendi ku njerëzit vijnë dhe kanë një ëndërr. Duke parë si u shkëlqejnë sytë ambasadorëve nuk jemi keq. Keq nuk jemi, do të jemi shumë më mirë pa diskutim, edhe nëse nuk jemi ne të zotë. Lum si ne që jetojmë në Tiranë” tha ai.