Atletet dhe atletët më të mirë në historinë e “Sport Klub Vllaznia” emra të mëdhenj që kanë bërë historinë në rang kombëtar duke arritur edhe rezultate shumë të larta në arenën ndërkombëtare janë nderuar me çertefikata mirënjohjeje në 100 vjetorin e themelimit të shoqërisë Vllaznia. Përveç mirënjohjeve në stadiumin “Loro Boriçi” u zhvillua edhe kupa “100 vite atletikë Vllaznia” me pjësëmarrjen e disa ekipeve kombëtare por edhe nga Kosova e Maqedonia.
Për femra janë nderuar atletet që kanë arritur tituj kampion kombëtar, rekorde kombëtare apo edhe medalje ndërkombëtare. Mirënjohje morën atletja e madhe Vera Bregu, Arbana Xhani, Pina Thani, Adile Dani, Myzejen Duli, Shaqe Nika, Sabije Keraj, Nexhmije Bilali, Angjelina Gurakuqi, Marije Rranxi gruaja e cila bëri revolucion në kohën e saj në mbarë Shqipërinë duke u marrë me sport, Lula Ndoja dhe Luke Zefi.
Për meshkuj çertefikata mirënjohje morën emra të mëdhenj si: Hysni Bebeziqi, kampioni i Europës i pari për Shqipëri me një sukses të tillë Izmir Smajlaj, Oltion Luli, Hivzi Kotrri,Arben Meka, Niko Laro, Ilo Pjetri, Llesh Vuksani, Franko Burraj, Arben Mlloja, Rasim Kraja dhe Sokol Shepeteja. Disa prej tyre tregojnë emocionet e përjetuara.
Çertefikata mirënjohjeje morën edhe trajnerët e shekullit të Vllaznisë në atletikë njëkohësh edhe trajner të ekipeve kombëtare: Fetih Dizdari, Vildan Tufi dhe Gëzim Mema që të tre tRajnerë me shumë tituj kampion, rekorde kombëtare, medalje ndërkombëtare dhe shumë arritje të tjera duke përgatitur emra të mëdhenj të sportit që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë ende. Edhe për ta emocioni ishte i madh.
Disa mirënjohje dha edhe Federata Shqiptare e Atletikës për emra si: Albert Marashi kryetrajneri aktual i Vllaznisë, Ardian Zhuri ish-atlet dhe Bruno Rrotani ish-atlet dhe aktualisht trajner. Të gjithë emrat që u nderuan kanë bërë historinë jo vetëm të atletikës shkodrane por edhe asaj shqiptare.