Në 100 vjetorin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë po zhvillohen një sërë aktivitetesh të ndryshme. Qyteti i Kopliku në Malësinë e Madhe është një prej 6 qyteteve të Shqipërisë që priti autobusin amerikan shëtitës duke sjellë eksperiencën e këndeve amerikane. Amanda Roberson, zëvendës shefe e marrëdhënieve me publikun në Ambasadën e SHBA në Shqipëri u shpreh se kjo hapësirë nga autobusi shëtitës dhe këndet amerikane ofron kulturën amerikane me anë të lojërave, muzikës dhe aktiviteteve të tjera.

“Këtë vit festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë kështu që jemi duke organizuar aktivitete festive kudo në Shqipëri. Ne kemi autobuzin amerikan shëtitës i cili ka udhëtuar në 6 qytete të ndryshme të Shqipërisë për të sjellë kulturën amerikane, lojëra, aktivitete edukative, muzikë dhe shumë gjëra të tjera argëtuese për qytetarët kudo në Shqipëri”. E ardhmja e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë është e ndritur shprehet Roberson….

“E ardhmja e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë është shumë e ndritur dhe ne jemi duke punuar së bashku në shumë fusha të ndryshme, për një demokraci të fortë në Shqipëri, rritjen ekonomike, jemi duke punuar së bashku edhe me NATO për paqen dhe prosperitetin në botë ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe po ashtu kemi një miqësi të thellë dhe prandaj jemi këtu për ta festuar në këndin amerikan duke përfshirë të rinjtë e Shqipërisë në aktivitetet tona të përbashkëta dhe shpresojmë që do vijojnë që të rinjtë të na bashkohen”. Amerika është vendi i ëndrrave edhe për shumë shqiptarë por Roberson beson se edhe Shqipëria ka mundësi që të bëhet ëndrra e shqiptarëve…

“Natyrisht. Shqipëria është një vend i bukur, ka shumë mundësi, ka shumë të rinj të talentuar dhe shumë prej tyre janë këtu duke na dhënë nga energjia e tyre. Ne kemi iniciativa për të ndihmuar të rinjtë që të ndryshojnë komunitetet ku jetojnë kështu që jemi të lumtur që janë pranë nesh. Kemi qenë në disa qytete dhe do shkojmë edhe në disa qytete të tjera por ju kemi lënë një mundësi që të na shkruani në rrjetet tona sociale për të na sugjeruar se cili është qyteti që keni dëshirë që të sjellim autobusin amerikan shëtitës”. Qytetarët në Koplik u njohën me këndet amerikane dhe çfarë ofrojnë ndërsa të rinjtë krijuan një atmosferë festive në këtë 100 vjetor të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NË MERKATO, EKIPI SHKODRAN FIRMOS ME FUTBOLLISTIN NGA KOSOVA
Artikulli tjetërSHKODËR, EKSPOZITA FOTOGRAFIKE “NIRVANA”