Sot shënohet 106 vjetori i lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare, Nënë Tereza, e megjithatë askush nuk është kujtuar për këtë fakt.
E lindur në Shkup si Gonxhe Bojaxhiu, vajza e një tregtari shqiptar, Nënë Tereza u rrit dhe u edukua në shtëpinë e saj në frymë katolike. Në moshën 17 vjeçare ajo largohet nga vendlindja e saj dhe shkon në Irlandë për të hyrë në “Institutin e së Lumes Zojë”, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”. Në dhjetor të vitit 1928 udhëton për herë të parë për në Indi dhe vendoset në Kalkutë. “Është dashuria e ëmbël e Zotit. Ai e don secilin prej nesh, ai i di emrat tanë dhe ai kujdeset për ne më shumë se sa për lulet, livadhet dhe të gjitha bukuritë natyrore.” Në maj të viti 1931 Motër Tereza dërgohet në bashkësinë e Loretos, ku jep mësim në shkollën St. Mary për vajza, një shkollë katolike në Kalkutë. Në Kalkutë, motra ende e re Tereza kishte parë tek vdisnin me dhjetëra të varfër. Ajo gjen në trotuar një grua të lënduar, e cila po jepte shpirt, me këmbët e brejtura nga minjtë. Pak më vonë gruaja e lënduar vdes pasi që personeli i një spitali në afërsi refuzon ta mjekojë atë. Nga ky moment Motër Tereza vendos që mos të lërë askënd që të vdesë i vetëm. Ajo vendos që të themeloj një shtëpi për ata që ndodhen në prag të vdekjes dhe të përkujdeset për ata. Njerëz vullnetarë, murgesha dhe murgjë i lanin dhe ushqenin ata. Që atëherë ditët e fundit të jetës aty i kanë kaluar më shumë se 40 mijë njerëz. “Vdekja është zhvillimi më i lartë i jetës njerëzore. Nëse një njeri vdes në paqe me Zotin atëherë ai ka arritur zhvillimin më të lartë”, thoshte Nënë Tereza. Megjithatë Nënë Tereza ia kushtoi jetën e saj më të varfërve në mesin e të varfërve dhe ndihmoi njerëz të panumërt. Ajo çmohej shumë në arenën ndërkombëtare dhe në vitin 1979 nderohet me Çmimin Nobel për Paqe. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 dhe u nda nga jeta më 5 shtator 1997.