Vetëm në dy vjet, 11 spitale rajonale në vend dhe tre poliklinika në Tiranë janë pajisur me kabinetet e kardiologjisë, një shërbim i munguar prej shumë kohësh për një nga sëmundjet me nivelin më të lartë të sëmundshmërisë.
Më i fundit është kabineti në repartin e kardiologjisë në spitalin e Beratit, ku 500 pacientë nuk do t’i drejtohen më Qendrës Spitalore në Tiranë, por do ta marrin shërbimin në këtë spital. Kjo, për dhjetëra të sëmurëve kardiakë në javë, që ishin të detyruar ta kryenin diagnostikimin në Tiranë apo në shërbimin jopublik me pagesë, i jep fund vajte-ardhjeve, mundimit dhe rritjes së kostos së shërbimit për ta dhe familjes së tyre. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishin në spitalin rajonal të Beratit. Me një investim prej 5,9 milionë lekë, në kabinetin e kardiologjisë janë instaluar aparaturat më të reja si ECHO 3D, ato për matjen e ngarkesës së zemrës, holter tensioni arterial dhe holter zemre. Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është mbulimi me shërbim kardiovaskular në të gjithë vendit.