AI ISHTE NË KËRKIM NDËRKOMBËTAR QË NGA VITI 2005, AI U ARRESTUA NË PERUXHIA. 11 vjet nga tragjedia e 9 Janarit, një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie, skafisti shqiptar Viron Robaj ka lënë qelinë e Peruxhias për tu ekstraduar drejt Shqipërisë, ku dhe do të vuajë dënimin me 25 vite burg dhënë nga Gjykata e Vlorës.Skafisti shqiptar Viron Robaj ishte arrestuar më herët nga Guardia di Finanza e Perugias. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar që prej 2005.
Policia italiane e identifikoi atë me anë të gjurmëve. Atij iu sekuestrua pasaporta me të dhëna të rreme, me gjeneralitetet e shtetasit F.K.Shteti fqinj njoftoi menjëherë zyrat e Interpolit shqiptar, të cilat bënë të mundur dhe identifikimin e autorëve të dyshuar që lëshuan pasaportën biometrike false. Më 5 shkurt të këtij viti, policia e Vlorës arrestoi dy punonjës policie, Leonel Begajn, me detyrë inspektor në komisariatin e këtij qyteti, dhe kryeinspektorin Lirim Lamaj, si përgjegjës për pajisjen me pasaportë false të Viron Robajt.“Nga hetimet e kryera rezultoi se Leonel Begaj, me cilësinë e personit që pranon aplikimet për pajisje me pasaportë biometrike, në bashkëpunim me Lirim Lamajn, në cilësinë e punonjësit të policisë që kryen verifikimin e të dhënave të aplikimit, në 27 nëntor të vitit të kaluar kanë pajisur me mjet identifikimi Viron Robajn, me gjeneralitetet e shtetasit F.K.. Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Dhënie të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen”thuhej në komunikatën e policisë.Ishte ora 18:00 e 9 janarit 2004 kur nga Shqipëria në Itali u nis një skaf me emigrantë, të cilët kishin paguar për kalim 1.500 € secilit. Pak orë pas skafi u mbyt në det të hapur në Gjirin e karaburunit, duke vrarë 21 njerëz dhe 7 të humbur. Një tragjedi e parandalueshme, sipas hetimeve të kryera nga autoritetet shqiptare, në qoftë se kontrabandistët do të kishin raportuar në kohë pozicionin e tyre, në mënyrë që të mundësohej shpëtimi në kohë.