110 persona qytetarë të Kosovës, të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri u kthyen në Kosovë.
Kthimi i tyre u bë në mesnatën e shkuar nga Turqia me një aeroplan që mbante flamurin amerikan.
Qytetarët e kthyer janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që ishin të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah IS-it.
Në mesin e të kthyerve ishin edhe katër ish-luftëtarë të IS-it. Konfirmimin e bëri drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për medie.
“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Rashit Qalaj. Sipas tij, në zonën e konfliktit ende kanë mbetur rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.
Kthimi në Kosovë i këtyre 110 kosovarëve, ishte pjesë e një plani në koordinim të plotë me SHBA, konfirmon ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Ai thotë se gratë dhe fëmijët të cilët janë kthyer, kanë qenë viktima të mashtrimit dhe keqtrajtimit.
“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave, që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre duke i lënë më pasoja të mëdha, në raste të caktuara edhe viktima.
Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar për të ardhmen e tyre”, tha ministri Abelard Tahiri.
Të kthyerit nga Siria, janë vendosur në një qendër azili në një fshat në periferi të Prishtinës. Kjo qendër azili po mbahet e rrethuar nga forca të shumta policore.
Kthimin në Kosovë të 110 kosovarëve, familjarë të luftëtarëve shqiptar që morën pjesë në konfliktet në lindjen e mesme, e përshëndeti ambasada amerikane në Kosovë.
“Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global, për të mposhtur ISIS-in, dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e së njëjtës rrugë. I duartrokasim bashkëndjenjës së treguar për të pranuar kthimin e këtij numri të madh të civilëve.
SHBA-të mbesin mirënjohëse ndaj Forcave Demokratike të Sirisë për mbështetjen e tyre në riatdhesim dhe për vazhdimin e mbajtjes humane nën arrest të qindra luftëtarëve të ISIS-it nga dhjetëra vende tjera”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Kosova që nga viti 2015 është rreshtuar përkrah aleancës globale kundër terrorizmit. Në po të njëjtin vit, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe ligjin, me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.
Një valë masive e arrestimeve në Kosovë u krye dy vjet më parë, kur Prokuroria Speciale e Kosovës hapi hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë, kishte arrestuar mbi 40 nga ta që ishin pjesë apo kishin lidhje me të ashtuquajturin “Shteti Islamik”, IS, 37 nga ta qenë dënuar.
Por, si e kanë shpjeguar sociologët fenomenin e pjesëmarrjes së të rinjve kosovarë në luftërat në Lindjen e Mesme?
Artan Muhaxheri, sociolog, ligjërues universitar pati thënë në një intervistë për DW-së se pjesëmarrja e të rinjve përkrah organizatës terroriste të IS-it është një fenomen global dhe edhe Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni.
Sipas Muhaxherit, arsyet pse të rinjtë kosovarë i bashkohen IS-it, janë brishtësia e institucioneve të sigurisë, sistemi i dobët arsimor dhe papunësia e madhe në Kosovë.
Sipas Muhaxherit funksionimi i dobët të organeve të sigurisë për faktin se Kosova është një shtet ri dhe pa përvojë në sistemin vetanak të sigurisë, është po ashtu një arsyet e rëndësishme.
“Një aspekt tjetër është edhe sistemi i dobët arsimor, sepse ekziston edhe një inflacion në institucionet private të arsimit, por edhe kualiteti i dobët i arsimit, prandaj këta të rinj nuk i marrin bazat e fuqishme të arsimit, kulturës shkencave dhe bëhen me lehtësi pre e indoktrinimit fetar të udhëheqësve fetar të papërgjegjshëm dhe ekstremist”, thotë Artan Muhaxheri.
Në bazë të statistikave të policisë, afro 400 qytetarë të Kosovës, kanë marrë pjesë në gjashtë vitet e fundit në konflikte në Siri dhe Irak përkrah grupit militant të ashtuquajur”Shteti Islamik”. Thuhet se më shumë se 70 prej tyre janë vrarë.