Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias i cili mori pjesë në një ceremoni të organizuar në kuadër të 111 vjetorit të çlirimit të Janinës nga pushtimi osman, nuk la pa përmendur edhe Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, duke iu referuar përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, Dendias i kërkoi Shqipërisë që të respektojë të drejtat evropiane, duke nënkuptuar mbajtjes në paraburgim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, gjë e cila sipas Athinës zyrtare, bie ndesh me praktikat evropiane të të drejtave të njeriut.

“Greqia është një vend fort pro perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. I referohem edhe Shqipërisë fqinje, e cila, megjithatë, gjithmonë në përpjekjen e saj për t’u bashkuar me familjen evropiane, duhet të ketë edhe nevojën për të respektuar acquis evropiane”- u shpreh Dendias.

Arrestimi i Fredi Belerit për shitblerje të votave për zgjedhjet lokale të 14 majit, vijon të mbetet një çështje e nxehtë mes 2 vendeve, derisa Greqia paralajmëroi se mund të ndikonte edhe në përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian. Ndërkohë, në 19 mars pritet të mbahet seanca në Gjykatën Kushtetuese për kërkesat e Fredi Belerit mbi shfuqizimin e masave të sigurisë ndaj tij dhe lejen për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.

Artikulli paraprakACAROHEN RAPORTET, LAJÇAK I ÇOI FTESË PËR TAKIM RRETH DINARIT, BISLIMI E AKUZON
Artikulli tjetërRAMA MBLEDH ASAMBLENË E PS, DREJTUESIT POLITIKË TË QARQEVE MBLIDHEN NË SELI