12 shqiptarë “Most Wanted” Policia: Telefononi nëse i shihni

“Most Wanted” siç jemi mësuar të shohim në dokumentarët e FBI apo thënën ndryshe personat më të kërkuar për për momentin nga Policia Shqiptare janë këta 12 persona. Emrat e foto e tyre janë publikuar ditën e sotme, ku bien në sy mes tyre dhe tre femra. Policia e Tiranës ka publikuar në faqen e internetit, listën e 12 personave më të kërkuar, të konsideruar si ndër më të rrëzikshmit. Ata rezultojnë të dënuar në mungesë për vepra penale të rënda si vrasje. Nisur nga ky shkak, sipas Policisë, fakti që ata janë ende të lirë, mbartin rrezik për shoqërinë, ndërsa mendohet se lëvizin të armatosur. Policia fton qytetarët të njoftojë menjëherë uniformat blu nëse i njohin personat në fjalë, apo disponojnë informacione rreth tyre. “Nëse keni ndonjë informacion në lidhje me këtë person, ju lutem kontaktoni Policinë në numrin falas 112 & 129, ose në Komisariatin Dixhital”, thuhet në njoftimin e Policisë. TË KËRKUARIT NGA POLICIA 1 – Eduart Xhavit Kurti, 41 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkohet për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Ekzekutoi me armë në mes të bulevardit në Tiranë, vëllezërit Nikola dhe Inglent Haxhialiun. 2 – Eduart Gani Kuliçi, 37 vjeç i dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkohet për veprën penale të “vrasjes me dashje“. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Vrau në vitin 2003 23-vjeçaren nga Puka Lindita Kukaj. 3 – Bashkim Riza Ferati, 37 vjeç, i dënuar me 20 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. 4 – Kujtim Demir Demiri, 49 vjeç, i dënuar me 14 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të “trafikim të të miturve”. 5 – Blenis Mihallaq Shyti, 33 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkohet për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. I akuzuar për tri vrasje makabre, 2 bashkëshortët dhe vajzën e tyre 8 vjeç në qytetin e Konstancës, Rumani. Ngjarja e dhimbshme e vitit 2004 ishte një ndër më të rëndat e regjistruara në Rumani, ku autor ishte Blenis Shyti, student shqiptar për Ekonomi dhe dy të tjerë. 6 – Fation Agim Muharremi, 32 vjeç, i dënuar me 11 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të “vrasjes”. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. 7 – Kreshnik Dëfrim Spahiu, 42 vjeç i dënuar me 25 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të “vjedhjes me armë me pasojë vdekjen”. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. 8 – Valentina Gëzim Tufina, 52 vjeç, e dënuar me 14 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të “trafikim i lëndëve narkotike”. E ashtuquajtura ‘tezja e kokainës’ është aktualisht në burg në Kosovë e arrestuar për trafik ndërkombëtar droge. 9 – Endrit Arben Daci, 29 vjeç, kërkohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë. Shenja dalluese: Endrit Daci, i ka flokët e rëna në pjesën e përparme. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. 10 – Adriana Rakip Çakmak, 43 vjeç, e dënuar me 16 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të mashtrimit. I mori shoqes së saj 800 milionë lekë të vjetra. 11 – Çetina Xheladin Zajmi, 59 vjeç, e dënuar me 12 vjet burgim. Kërkohet për veprën penale të “Mashtrim me pasoja të rënda”. 12 – Florjan Robert Qafa, 38 vjeç, kërkohet për veprën penale të “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm.

Artikulli paraprakAKADEMIA, U-17 BARAZIM, U-19 FITON ME SHKËNDINË
Artikulli tjetërVETTINGU SERISH NE KUSHTETUESE,E ANKIMON UNIONI I GJYQTAREVE