Kosova feston sot 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, dy ditë pas zgjedhje parlamentare, ku fitoi bindshëm Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin.
Më 17 shkurt 2008, deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës shpallën vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt u kontestua nga Serbia e cila kërkoi edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në korrik të vitit 2010 kjo gjykatë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Nga viti 1999 kur edhe Kosova u çlirua nga Serbia deri në shpalljen e Pavarësisë, vendi u administrua nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa pati paralelisht institucionet e saj demokratike – Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë.
Në këtë ditë janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e saj qendrore dhe ato lokale.
Ceremonitë për nder të kësaj dite do të fillojnë me ngritjen e Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë, në të cilin do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.
Manifestimi qendror do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa nën përkujdesjen e u.d. presidentit së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahet edhe një pritje shtetërore.
Gjatë ditës do të ketë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Do të mbahen edhe aktivitete sportive si Gara e Pavarësisë- Federata e Gjimnastikës në Prishtinë, Turniri i Pavarësisë-Federata e Mundjes. Në Han të Elezit, Turniri i Pavarësisë- Federata e Ping-Pongut Prishtinë, Vrapimi i Pavarësisë- Federata Atletike në Viti.
Për nder të 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të hapet ekspozita “Jeta dhe vepra e Sali Çekut” dhe ndarja e çmimeve vjetore për letërsi nga MRKS-ja në Prishtinë.
Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, KK i Prizrenit mban mbledhje solemne dhe ndan dekoratën “Nderi i Qytetit” për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Bujar Gjurgjealën, ndërsa mbledhje solemne do të mbahen edhe në Komunën e Skenderajt, Podujevës dhe komunat e tjera.
Monumenti “New Born”, në Prishtinë të Kosovës ka marrë një pamje tjetër për ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke u mbuluar me shenja të duarve të qytetarëve, me ngjyrën e ushtrisë që simbolizon luftën e drejtë çlirimtare.
Të mëdhenj edhe të vegjël dhanë “një dorë” në pamjen e re të “New Born” duke lënë shenjën e tyre në mënyrë që të ishte gati këtë ditë të shënuar për Kosovën.
Motoja e monumenti këtë vit është “Ne e prumë paqen bashkë”! Përmes kësaj synohet të tregohet uniteti dhe bashkimi mes njeri tjetrit njëjtë si në ditën e shpalljes së pavarësisë, si dhe është një nderim për ata që dhanë jetën dhe sakrifikuan që sot Kosova të jetë e lirë.
Mëngjesin e sotëm ideatori i kësaj nisme, Fisnik Ismaili përshëndet me një foto të pamjes së re të “New Born”.