13 vjet pas tragjedisë së 9 janarit, familjarët e viktimave kanë përkujtuar të afërmit e tyre në qytetin bregdetar të Vlorës.
“Fëmijët tanë janë lënë në mes të detit nga neglizhenca e strukturave shtetërore ”, kjo është akuza që kanë ripërsëritur familjarët e të ndjerëve që kërkojnë drejtësi prej vitesh. Por shpresa e tyre ende nuk është shuar, ata kërkojnë dënimin e fajtorëve të ngjarjes. Një tjetër dëshmitar Selami Jemisheheri, i është bashkuar sot familjarëve të viktimave. Ai rrëfen orët e para të nisjes së operacionit të shpëtimit në distriktin ushtarake të Vlorës, aty ku të rinjtë vlonjatë kërkonin mjete për të dalë në det ndërsa urdhri për t’i shpëtuar nuk erdhi, duke shuar çdo shpresë për t’i shpëtuar. Sipas tij, në distriktin ushtarak pritej urdhri i zëvendësministrit Namik Dokle. Mbrëmjen e 9 janarit 2004 në bordin e gomones së nisur nga porti i Vlorës drejt Italisë, ishin vendosur 36 refugjatë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Çdo emigrant pagoi 1500 euro për udhëtimin. Por për shkak të motit të keq dhe dallgëve të mëdha, gomonia u mbyt duke gjetur vdekjen 28 persona nga 36 që ishin në të. 8 prej tyre ende nuk janë gjetur trupat. Viktimat ishin kryesisht nga Shkodra e Lezha. Lundruesit kërkuan ndihmë, por ndihma mbërriti me vonesë. Familjarët e viktimave kërkuan që hetimet t’i marrë në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda.