Policia zvicerane ka kapur 14 kilogramë heroinë, me vlerë tregu të paktën dy milionë franga, gjatë një kontrolli në doganën e Kreuzlingenit.
Hetimet, sikurse bëhet e ditur nga policia dhe ministria e rendit, kanë nisur nëntorin e kaluar, kur një turk 42-vjeçar, i ardhur me makinë nga Gjermania, u kontrollua nga rojet e kufirit dhe iu gjetën katër kile heroinë.
Hetimi vazhdoi më pas në bashkëpunim me hetuesit e Këlnit, që në fund të prillit arrestuan dy të dyshuar të tjerë, një turk 43 vjeç dhe një shqiptar 48-vjeçar. I pari kishte një makinë që e kishte lënë në Zvicër.
Makina u sekuestrua dhe kontrolli i saj zbuloi 10 kile të tjera drogë.
Dy turqit janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar droge. Të tre të arrestuarit tashmë janë në qeli.