TIRANË– Jo më larg se sot ka pasur një person të arrestuar për shit-blerje të votave. Bëhet fjalë për koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë e për këtë rast dhe jo vetëm, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka dhënë një mesazh të qartë. Ajo tha se është në dijeni të këtyre raportimeve për shit-blerje të votave duke kërkuar që të merren masa përkundrejt partive politike që akuzohen.
“Të gjithë që kanë të drejtë për të votuar, duhet të votojnë, kemi parë raportime për blerje dhe shitje votash dhe shpresojmë që autoritet do të bëjnë detyrën e tyre, nëse disa po thonë se po blen vota për një parti politike, ndaj kësaj partie politike duhen ndërmarrë veprime”, tha Kim.
Kjo deklaratë vjen pas arrestimit të koordinatorit të Partisë së Lirisë në Kuçovë Kristo Agalliu dhe vënies në hetim të qytetarit Agron Duro. Ky i fundit është filmuar teksa fliste në telefon me Agalliun dhe i kërkonte 15 mijë lekë për 4 vota.