SIMBOLIKA E KËSAJ FESTE QË NISI TË JETË PREZENTE NË SHQIPËRI PAS VITEVE 90-të. Një buqetë me lule…, ndoshta me lule të kuqe, e shoqëruar me një dhuratë të këndshme, dhe mundësisht të shtrenjtë!

Prej disa vjetësh, kjo është mënyra më e natyrshme, me të cilën të rinjtë shqiptarë përpiqen të festojnë ditën e Shën Valentinit. Shumë njerëz, e sidomos të rinj, në qoftë se do të pyeten rreth përkujtimit të kësaj dite dhe domethënies së saj, do të përgjigjen shkurt, se pak u intereson zanafilla e kësaj feste, përmbajtja e saj apo mënyra sesi festohet. Të tjerë do të thonin se festat në përgjithësi, sjellin gëzim dhe se për ditë të tilla kemi nevojë.   Gjithsesi është fakt se shqiptarët sa më shumë po kalojnë vitet aq më natyrshëm po e kremtojnë këtë ditë, në krahasim me vitet e para të pas 90-tës kur të gjitha qytetet 14 shkurtin e kthenin në një festë të madhe kolektive, ku vetëm intimitet nuk kishte. Si një popull me temperament , me sa duket shqiptarët në vitet e para të demokracisë kremtuan më shumë të ndaluarën, ndërsa tani ‘të ambjentuar’ me lirinë kremtojnë ritualin e zakonshëm  dhe të mirë që ofron kjo ditë. Me 14 shkurt , të gjithë e dinë se për frymën e sakrificës që shprehu Shën Valentini dhe në përkujtim të flijimit të tij, mbeti dita e 14 shkurtit, dita simbol e të dashuruarve! Në të njëjtën kohë, shumëkush mund të bëhet kurioz për ‘suksesin’ dhe jetëgjatësinë e këtyre legjendave, të cilat edhe pse pa shumë baza të forta historike, mundën që në mbarë botën të sjellin një atmosferë të ndryshme nga ditët e tjera të vitit, një atmosferë e cila njëkohësisht ngjan me ndrojtjen, ëmbëlsinë e natyrisht me ndjenjën e bukur të dashurisë… Aktualisht, jo vetëm mes të rinjve, por edhe mes opinionit më të ‘rritur’, ka një sërë interpretimesh e bindjesh rreth simbolit të kësaj feste. Dikush shprehet për dashurinë, e dikush tjetër mendon më shumë për miqësinë, e në këtë mënyrë teksa vitet ikin me festime sa herë e më origjinale, ajo që mbetet është gjithmonë emocioni, që festa e Shën Valentinit përcjell me aq lehtësi. Në fund të fundit, është dashuria ajo që festohet, e dashuria është edhe arsyeja e ‘suksesit’ e jetëgjatësisë të legjendave të tilla me origjinë pagane, sepse në ditët tona, pak dashuri bën mirë.

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”https://www.youtube.com/embed/hBISr5u0b8E” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakAKADEMIA, VLLAZNIA KËRKON FITOREN E FILLIM SEZONIT
Artikulli tjetërSHËMBET DHEU NË MINIERËN E BAKRIT NË PUKË, NJË VIKTIMË