Plot 14 tërmete me magnitudë nga 2.3 deri në 4.5 ballë, kanë tronditur gjatë natës së kaluar jugun e Shqipërisë. Sipas IGJEUM, epiqendra e tërmetit ka qenë në qytetin e Vlorës, 14 km nga Orikumi, dhe me një thellësi prej 2 km.
Nuk raportohet për persona të lënduar, por në fshatrat Bashaj, Matogjin e Vërmik mësohet se janë dëmtuar mbi dhjetë banesa. Dëmtimi i shtëpive ka ndodhur për shkak se epiqendra e tërmetit ka qenë në një thellësi vetëm 2 km në tokë.
15 familje kanë kaluar natën jashtë, në qiell të hapur, për shkak të lëkundjeve të shumta, të cilat mund të përsëriten.
Banorët kanë rrëfyer tmerrin nga lëkundjet e fuqishme. Banorët kanë rrëfyer tmerrin e përjetuar, teksa shprehen se kanë kaluar natën jashtë, në hënë nga frika e lëkundjeve.
-Kam ulëritur jashtë mase. Çfarë të them, ja siç e shikoni dhe vetë. Kemi fjetur jashtë në hënë, vaki kam, pres njerëzit jashtë në rrugë, se i ka marrë frika të tërë. Janë dëmtuar i gjithë fshati, dy-tre shtëpi janë më shumë të kërcënuara. Natën do ta kalojmë sërish jashtë në shi.
-Mbrëmë ka rënë tërmet aq i paparë, sa nuk kishte më. I morëm fëmijët, i nxorëm me urgjencë jashtë dhe i çuam të shtëpia e fëmijës. Neve na është prishur gjithë gjendja e brendshme, komplet. Shtëpia është jashtë përdorimit, nuk banohet më.
Natën e kemi kaluar lapidar, ishim 8 frymë. Një tërmet ka rënë në 20:05 minuta, një në orën 00:00, dhe një në orën 04:55. Ne nuk kemi ku të vemi, as që diskutohet se do të bjerë sërish. Këtu janë thuajse 5 shtëpi të pabanueshme. Nga bashkia erdhën mbrëmë 4 veta, unë nuk i lashë këtu.
Banorët shprehen të frikësuar se do të ketë dhe tërmete të tjera. Ndërkohë, sizmologu Rrapo Ormeni është shprehur se pritet që të ketë lëkundje të tjera, por me magnitudë të vogël.
Kur ndodh një tërmet ka prishje të ekuilibrit dhe derisa të vendoset, të çlirohet energji, do të kemi rënie të tërmeteve, vazhdim të lëkundjeve në këtë zonë në Jug-Perëndim, ku historikisht ka tërmete. Nga ecuria e lëkundjeve, themi se intensiteti është në zvogëlim.
Lëkundjet janë ndjerë edhe në Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë dhe zonat përreth. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë prej orës 17:00 të dites se djeshme dhe deri në orët e para të mëngjesit te sotem.
Lëkundjet kanë shkaktuar panik te banorët pasi në pak orë janë regjistruar shumë tërmete, një intensitet sizmik ky i pazakontë.