15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë.
Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara.
Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji.
Sot 14 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave.
Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.
Gjykata e Lartë ka rrëzuar pak javë më parë rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar. Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 13 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
Kujtojmë se SPAK tashmë ka rikfilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Pjese e ripyetjes do të jenë edhe ish zyrtaret e lartë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. Zyrtari i parë që do të merret në pyetje është ish-ministri Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndër familjarët edhe Zamira Durda e cila kërkon që hetimet në Gërdec të behën edhe për korrupsion.
Në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.