Pionier i terapisë së kafshëve, i tmerruar nga numri 62, i kënaqur me veset e tyre. Ja cilat janë aspektet e habitshme të jetës së Sigmund Frojdit, “babait” të psikoanalizës dhe interpretimit të ëndrrave.
Kush ishte Sigmund Frojdi
Lindi më 6 maj 1856 në Frajberg (Pribor), në Republikën e sotme Çeke. Doktor dhe themelues i psikoanalizës, ai e identifikoi tek e pandërgjegjshmja vendin e instikteve dhe të dëshirave, dhe tek konfliktet e pazgjidhura, shkakun e histerive dhe neurozave.
Duke përmbysur një traditë mijëvjeçare, që e shihte psikikën si diçka të padepërtueshme ndaj arsyes, ai e bëri atë pikënisjen prej nga ku do të analizonte pacientin. Edhe sot Frojdi është objekt i studimeve, por sa ishte gjallë puna e tij nuk u vlerësua sa duhet, dhe teoritë e tij shiheshin me dyshim.
Pioner i terapisë së kafshëve
Frojdi mbante gjithmonë në studion e tij, Jofin, qenin e tij të racës Choë Choë. Frojdi e konsideronte jetike praninë e tij gjatë seancave të psikoanalizës, pasi ishte qetësuese për pacientët. Jofi u mësua të ndjekë seancat e të zotit, sa që me nisi të llogarisë kohën e çdo takimi. Kur qeni ngrihej në këmbë, Frojdi e dinte se seanca kishte mbaruar.
Frikërat e njeriut që zbulonte fobitë
Thuhet se Frojdi ishte i fiksuar pas numrit 62. Ai besonte se pikërisht në atë moshë, 62 vjeç, ai do të vdiste (në fakt jetoi deri në moshën 83-vjeçare). Për këtë arsye, ai nuk fjeti kurrë në një dhomë hoteli që kishte atë numër.
Një rutinë gjeniale
Zakonet e Frojdit, ishin shumë strikte. Paraditen ua kushtonte pacientëve, hante çdo ditë drekën në orën 13:00. Donte mish viçi, dhe urrente mishin e pulës. Pas drekës, dilte për një shëtitje prej 3 kilometrash, duke ndjekur gjithmonë të njëjtat rrugë. Pasdite merrej sërish me vizitat, dhe pas darke luante letra me gruan ose vajzën e tij.
Divani ishte një dhuratë
Divan i famshëm, ku ai psikoanalizonte pacientët, ishte dhuratë nga një paciente, zonja Benevenists. Ideja që pacientët të qëndronin të shtrirë në divan, i erdhi në kohën kur ai praktikoi hipnozën, dhe zbuloi se njerëzit binin më shpejt në një gjendje transi, nëse ishin shtrirë.
Konsumator frenetik i duhanit
Frojdi i adhuronte purot. Ai tymoste 20 në ditë. Për shkak të purove dhe cigareve që pinte kur ishte i ri, Frojdi u prek nga një tumor i rëndë në fyts, që çoi edhe në vdekjen e tij në vitin 1939. Kur dhimbjet e kancerit u bënë të padurueshme, ai kërkoi që t’i ndihmohej të vdiste. Mjeku i injektoi një dozë të madhe me morfinë.
Pak rroba
Në garderobën e tij, ai kishte vetëm 3 kostume, 3 palë të brendshme dhe 3 palë këpucë. Ndoshta sepse kursente para? Jo, thjesht i dukej e padobishme të blinte rroba të tjera.
Migrena dhe kokaina
Frojdi vuante shpesh nga dhimbje tmerrshme të kokës. Nga leximi i kujtimeve të tij, u arrit në përfundimin se ai vuante nga migrena, të cilën psikoanalisti u përpoq të shëronte duke përdorur kokainë. E kishte zbuluar këtë drogë që në moshën 28 ??vjeçare. Nisi ta përdorte si një ilaç kundër ankthit, por u bë i varur prej tij, të paktën deri në moshën 40 vjeçare.
Arratia
Kur Gjermania aneksoi Austrinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët pasi dogjën në shesh librat e tij, i hynë në banesë, duke arrestuar vajzën e Frojdit Anën. ‘Babai” i psikoanalizës ishte hebre, por mbi të gjitha simpatizantët e Fyhrerit nuk e pëlqyen hetimin e tij mbi të pavetëdijshmen, dhe instinktet e qenies njerëzore.
Falë ndërhyrjes së njërës prej pacienteve të tij, Princeshës Mari Bonapart, Frojdi me gruan dhe vajzën ia dolën të emigrojnë në Paris dhe më pas në Londër. Por 4 motrat e tij, Roza, Maria, Adolfina dhe Paulina, u zhdukën në një kamp përqendrimi. Frojdi arriti të korruptonte disa nazistë, që mbrojtën arkivin dhe një pjesë të trashëgimisë së tij.
Poliglot autodidakt
Përveç gjermanishtes, Frojdi zotëronte mirë edhe gjuhën angleze. Kur ishte adoleshent, ai mësoi spanjishten me një shok të klasës, për të lexuar në original “Don Kishotin”. Frojdi ishte një admirues i madh i Servantesit.
Dedikim ndaj Duçes
Shkrimtari Xhakinto Romano, që kishte shkruar një dramë me Napoleonin dhe Musolinin si personazhe, i dhuroi Frojdit një kopje me një dedikim të tillë:”Për Sigmund Frojdin, që do ta bëjë botën më të mirë, me admirim dhe mirënjohje Benito Mussolini dhe G. Forzano”.
Nuk dihet nëse Musolini kishte dijeni, por disa besonin se Frojdi ishte dashamirës ndaj udhëheqësit italian.
Frojdi reagoi me një shkrim ku i drejtohej Duçes me pyetjen “Ëarum Krieg”? (Pse luftë?), të bashkëshkruar me Albert Ajnshtajn. Dhe një dedikim:”Për Benito Mussolini, me përshëndetjet e një plaku që tek mbajtësi i pushtetit, njeh heroin e civilizimit”.
Historianët e shpjegojnë këtë respekt me faktin se Frojdi besonte se Duçe mund të parandalonte Anshlusin, domethënë aneksimin e Austrisë në Rajhun Gjerman.
Frojdi “shkoi” në Hënë
Në satelitin natyror të Tokës, ekziston një krater i vogël që mban emrin e psikoanalistit gjerman. Ajo ndodhet disa kilometra në perëndim të Vallis Schröteri, një luginë e gjerë dhe e thepisur hënore, që ka një diametër prej vetëm 2 kilometrash.
Pati 12 nominime për Çmimin Nobel
Por në fakt nuk fitoi asnjërin. Dhe nominimet u ndërprenë kur një ekspert, i emëruar nga komiteti i Nobelit, pohoi se puna e Frojdit nuk kishte baza shkencore.
Grumbulloi gati 2000 objekte arkeologjike
Sot kjo do të qe diçka e paligjshme, por në kohën e Frojdit cilësohej e pranueshme. Shumë prej relikeve vinin nga nga gërmimet në mbarë botën. Ato ndodhen edhe sot në shtëpinë e vjetër të familjes, që sot është një muze i hapur për publikun.
Çfarë na mbetet nga Frojdi?
Shumë aspekte të analizës së tij, janë hedhur poshtë nga psikologjia moderne. Por, tek Frojdi vlerësojmë intuitën gjeniale, si fakti që ndjenjat, idetë, impulset, dëshirat, ngjarjet dhe veprimet kanë kuptime të rëndësishme dhe shpesh të pavetëdijshme (pa ndjenja); se eksitimi seksual nuk kufizohet vetëm në organet gjenitale;
se e shkuara ka gjithmonë një ndikim në të tashmen, dhe se të folurit ndihmon në lehtësimin e ankthit, dhe çliron mendjen e një personi.
Studioi edhe gazrat
Frojdi studjoi skutat më të errëta të shpirtit të njeriut, deri edhe tek gazrat që ai lëshon. Në parathënien e edicionit të dytë të librit “Eskursioni dhe Qytetërimi”, Xhon Burke zbuloi motivet e pavetëdijshme të neverisë që kanë njerëzit ndaj fryrjes së barkut dhe gazrave.
“Njerëzit e civilizuar ndihen në siklet, nga gjithçka i kujton atyre origjinën e tyre shtazore. Ata përpiqen dëshpërimisht të imitojnë engjëjt e përsosur, por tek ta mbetet ende një gjurmë tokësore, që mezi durohet”.