Një 19 vjeçe ka shpëtuar mrekullisht pas një aksidenti në rrugën Vau Dejës-Shkodër.
Shtetasja Anila Fiku ka rënë në ujërat e lumit Drin në afërsi të urës së Spatharit. Janë të paqarta motivet e aksidentit por policia dyshon se 19 vjeçarja ka humbur kontrollin dhe ka rënë në ujërat e lumit. Pas aksidentit shtetasja Anila Fiku ka shpëtuar duke qenë jashtë rrezikut për jetë. Vetëm pak minuta pasi ka dalë nga rruga dhe ka rënë poshtë urës së Spatharit 19 vjeçarja ka arritur që të dalë nga makina. Në fakt kanë qenë dy kalimtarë të rastit ata të cilët kanë shpëtuar të aksidentuarën. Sapo kanë parë se makina ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e lumit Drin janë nisur për ta shpëtuar atë. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti Ford Focus me të cilin po udhëtonte shtetasja Anil Fiku ka arritur të qëndrojë 3-4 minuta mbi ujë derisa më pas është fundosur. Kjo kohë i ka dhënë mundësi dy kalimtarëve dhe policisë rrugore që t’i vijnë në ndihmë 19 vjeçares duke e nxjerrë nga makina dhe duke e shpëtuar. Në rast se mjeti do të ishte fundosur më shpejt e aksidentuara mund të kishte humbur jetën. Megjithatë pasi është nxjerrë nga uji menjëherë është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës nga ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 19 vjeçarja po udhëtonte e vetme ndërsa nuk ka qenë duke ecur me shpejtësi shumë të madhe por humbja e kontrollit ka bërë që gradualisht të përfundojë në ujërat e lumit Drin. Ky është aksidenti i dytë që ndodh brenda pak kohësh në afërsi të urës së Spatharit duke u kthyer kështu në një aks problematik.