Pas përfundimit të hetimeve dhe gjykimit për grupin e shqiptarëve që trafikonin drogë të tipit kokainë nga Hollanda në drejtim të Italisë është dhënë verdikti i autoritetit të drejtësisë së Italisë.
Gjykata italiane e Aostës ka dënuar me 63 vite burg grupin e shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit “Ilium” me akuzën e trafikimit të kokainës nga Hollanda në Itali.
Të dënuarit në këtë proces janë
-G. Sh, 57 vjeç, i dënuar me 21 vite burg e 1000 euro gjobë
-A. Sh, 43 vjeç, i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë
-L. H, 37 vjeç, i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë
-V. Ll.i, 31 vjeç i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë
-Si edhe shtetasi italian, shofer i automjetit tip TIR me të cilin transportohej lënda narkotike, Mauro Alvise Cauzzo 66 vjeç nga Venecia, i dënuar me 9 vite burg e 35 mijë euro gjobë.
Gjatë operacionit policor “Ilium” kishin nisur hetimet më vitin 2011.
Hetimet e operacionit “Ilium” vërtetuan se vetëm brenda 15 ditëve grupi i shqiptaëve trafikuan nga Hollanda në Itali 25-30 kg kokainë.
Elementi kryesor i këtij grupi kriminal ishte shqiptari G. Sh, banues në La Spezia në Itali, i cili merrej me administrimin e parave për blerjen e kokainës në Hollandë, si dhe me shpërndarjen e saj në territorin italian kryesisht në rajonin e Lombardisë.
Kokaina futej në Itali përmes automjeteve të drejtuara nga korrierë të ndryshëm mes të cilëve dhe italiani 66 vjeçar Mauro Alvise Cauzzo. Mbi çdo pako kokainë ishte e shënuar me gërma emri i qytetit apo zona ku ajo do të shpërndahej.
Për të komunikuar mes tyre grupi i malësorëve përdorte një gjuhë të koduar ku kokaina quhej ndeshje futbolli.
“Po pres për të shkuar për të luajtur futboll. Më thuaj nëse vjen dhe ti për të zënë fushën,”-thuhej në një nga mesazhet komunikuese mes anëtarëve të grupit e ku vendodhja e ndeshjes së futbollit ishte vendi ku do të mbërrinte kokaina.
Gjatë operacionit “Ilium” janë vënë nën pranga 17 persona e 66 persona të tjerë janë vënë nën hetim. Ky operacion çoi gjitahshtu në 9 sekuestrime policore të kryera në provincat e Aosta, Torino, Lodi, Vigevano, Vipiteno e La Spezia ku janë kapur rreth 23 kg kokainë në vlerë 2.5 milionë euro.