NGJARJA QË DO TË SKUQTE SHKODRËN, DITË KUJTESE DHE NDERIMI PËR HERONJT. 2 Prilli do të mbahet mend jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë një ngjarje me përmasa historike, mbarë kombëtare, monument i qëndrës dhe luftës së shkodranëve për liri dhe demokraci, dita që shëmbi ndërtesën e urryer të Komitetit të Partisë.
Do të mbetet një ditë krenarie, por edhe dhimbje e madhe, ditë kur bisha komuniste atë ditë vrau 4 djem të rinj shkodranë, plagosi me qindra të tjerë dhe mbyti me gjak një qytet të tërë, por shkodranët fituan, mposhtën bishën komuniste dhe u bënë burim frymëzimi dhe kurajoje për mbarë popullin shqiptar, për shëmbjen e komunizmit dhe ndërtimin e një Shqipërie të lirë, demokratike, të begatë e të integruar me dinjitet në strukturat euro-atlantike. Eshtë e vërtetë se një njeri, një qytet, apo më gjërë, përjeton situata të ndryshme që nga të zakonshmet, deri më të vështirat. Pikërisht tek këto të fundit zbulohet shpirti, aftësia, personaliteti dhe dinjiteti i tyre, ku ato dinë të mbajnë qëndrim historik e të drejtë, duke dalur faqebardhë para vehtes së tyre, qytetit, kombit, para Zotit. Këtë bëri Shkodra më 2 Prill të 1991, duke pasqyruar më tej traditat e mrekullueshme të të parëve tanë, dashurinë për atdhe, për liri e demokraci, duke pasuruar kështu historinë e Shqipërisë me vlera të mëdha . Vetë historia, vetë Shkodra, Shqipëria kërkonin që në krye të lëvizjeve demokratike të vitit ’90-’91 të vihej Shkodra, sepse kampion i natyrës demokratike, emancipuese, pro perëndimore, kundër diktaturës, sidomos asaj komuniste ka qenë në vijën e parë gjithmonë Shkodra. Ajo e tregoi vehten duke filluar nga lëvizjet, demostratat antikomuniste, në shkollat e mesme, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, deri në lëvizje e demonstrata të gjera popullore. Urrejtja 50-vjeçare antikomuniste kishte bërë që atë ditë të mos njihej frika, plumbi, vdekja. Bisha komuniste hapi zjarr mbi turmën. Ranë të plagosurit e parë, të vrarët e parë, katër djem të rinj si: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, katër përfaqësues të fiseve të nderuara të Shkodrës. Ranë në lulen e rinisë për të mbetur për jetë të paharruar në historinë e Shkodrës, Shqipërisë e demokracisë. U mposht bastia komuniste, Komiteti i Partisë ra dhe u shëmb ndërtesa kobzezë që u kishte sjellë aq fatkeqësi shkodranëve. Kanë kaluar 24 vjet, por kujtimi i asaj dite, rënia e katër dëshmorëve të demokracisë do të mbesi për jetë burim frymëzimi, mesazh i vërtetë për shkodranët e gjithë shqiptarët