Qeveria e Shqipërisë ka harxhuar 213 miliardë lekë (2 mld euro) në infrastrukturën rrugore nga viti 2014 në vitin 2022 raportoi INSTAT, por të dhëna më të detajuara nga projektet e investimeve tregojnë se punimet në objektet kryesore të infrastrukturës vijojnë ende. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022 janë investuar për ndërtimin e rrugëve të reja dhe atyre ekzistuese rreth 24 miliardë lekë me një rënie rreth 26 për qind në krahasim me vitin 2022. Por që nga viti 2014 janë investuar në mbi 2 miliardë euro, të cilat janë copëzuar në projekte për të cilat ndërtimi i kaluar më shumë se një dekadë.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe ajo e infrastrukturës tregojnë se projektet e mëdha të investimeve të tilla si Unaza e Madhe e Tiranës, Rruga e Arbrit, Rruga e Kombit, Qukës-qafë -Plloçë, Kardhiq-Delvinë, kanë hyrë në dekadën e dytë të financimit dhe punimet ende nuk kanë përfunduar. Zgjatja në kohë e projekteve përveç po krijon kosto nga mospërdorimi plotë i investimit po ndikon në amortizimin e pjesëve që kanë përfunduar, duke kërkuar kështu vit pas viti financime shtesë. INSTAT raportoi se në vitin 2022 vendi kishte 3,606 kilometra rrugë gjithsej nga 3,848 që ishin në vitin 2014.
Nga viti 2014 deri në fund të vitit 2022, qeveria e Shqipërisë nëpërmjet buxhetit të shtetit ka injektuar në ekonominë e vendit 1,1 trilionë lekë (9,7 miliardë euro) në formën e investimeve kapitale dhe shpenzimeve operative, referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave. Këto dy zëra, sipas përcaktimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfaqësojnë investimet që shteti kryen në ekonomi, duke ndërtuar dhe duke mirëmbajtur asetet fizike ose teknologjike që e zhvillojnë ekonominë. Po sipas FMN, mënyra për të matur më saktë nëse po shpenzon si duhet qeveria janë rezultatet që ato sjellin, p.sh. të ardhurat për frymë të popullatës, përmirësimi i sistemeve shëndetësore, arsimore, infrastrukturës rrugore, ujë të pijshëm me kosto të ulët etj. FMN udhëzon se, qeveritë me buxhetet e tyre janë një operator i madh në ekonomi dhe nëpërmjet investimeve kapitale ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit.
P.sh. nga viti 2014 në vitin 2022, qeveria ka injektuar në ekonomi, nëpërmjet investimeve operative dhe kapitale, mbi 9,7 miliardë euro, por PBB-ja e vendit është shtuar gjatë kësaj periudhe me vetëm 3.4 miliardë euro, ndërsa borxhi publik, nga ana tjetër, është rritur me po 3 miliardë euro.