2017, nis numërimi i shpendëve ujorë, monitorim faunës së egër

Ministria e Mjedisit, AKZM, ekspertë të huaj dhe vendas me mbështetjen e projektit NaturAL për të dytin vit radhazi kryejnë censusin, numërimin e shpendëve ujorë me qëllim ngritjen e kapaciteteve të pesonelit të zonave të mbrojtura për monitorimin e faunës së egër. Numërimi i shpendëve ujorë 2017 do të kryhet në periudhën 13-15 Janar nga një grup prej 12 ekspertësh vendas e të huaj, të cilët do të mbulojnë 18 zona të rëndësishme për shpendët ujorë të shpërndara në të gjithë vendin. Ekspertët do të kenë mbështetjen e më shumë se 40 personave nga stafi i 12 AdZM-ve, të cilët duke punuar së bashku do të mësojnë më shumë mbi teknikat dhe protokollet e numërimit të shpendëve. Për të ngritur më tej kapacitetet e stafit të AdZM-ve është zhvilluar paraprakisht një sesion trajnimi, ku ekspertët kanë demonstruar teorikisht dhe me ushtrime praktike protokollet e numërimit si dhe mënyrat e identifikimit të shpendëve gjatë procesit të numërimit. Trajnimet janë zhvilluar në datë 12 janar në tre zona (Kune-Vain, Orikum, Pogradec). Edhe vitin e kaluar u kryhen trajnime, por këtë vit numri i personave të përfshirë është më i madh dhe eksperienca e stafeve në këtë proces po vjen duke u zhvilluar. Të dhënat e grumbulluara do të jenë pjesë e BIONNA, (data-baze ndërkombëtar elektronik i biodiversitetit) dhe do mund të përdoren nga të gjithë të interesuarit për të njohur më mirë pasuritë e natyrës së Shqipërisë. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë AKZM dhe Ministrinë e Mjedisit në formulimin më të saktë të politikave dhe strategjive për ruajtjen e natyrës dhe elementeve të biodiversitetit. Me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë pritet që numri i shpendëve migrator të tjetë më i lartë se vitin e kaluar, pasi në lagunat dhe liqenet tona ndërkufitare është rikthyer qetësia, megjithatë këtë do ta tregojnë shifrat. Përpunimi i të dhënave pritet të zgjasë të paktën një javë.

Artikulli paraprakNËNA BRAKTIS FËMIJËN ,ARRESTOHET NGA POLICIA
Artikulli tjetërPROKURORIA E TRIBUNALIT TË HAGËS: BURGIM TË PËRJETSHËM KARAXHIÇ-IT