Të rinjtë e PD-së dhe LSI-së kanë zhvilluar paraditen e sotme një protestë simbolike para parlamentit, teksa po zhvillohej seanca plenare dhe po betoheshin deputetët e rinj nga listat e partive opozitare. Të rinjtë e forumeve kanë marrë me vete nga një palë këpucë, që sipas tyre janë të të rinjve të cilët janë larguar nga vendi, ndërsa pranë tyre vendosën nga një flamur të vendeve të BE-së ku kanë emigruar më së shumti.

Gjithashtu sipas tyre simbolika e këpucëve, të cilat sipas PD-së ishin 200 palë para parlamentit, tregon edhe shtypjen që kjo qeveri u ka bërë te rinjve duke u vrarë shpresën, duke mos u ofruar mundësi punësimi, arsim cilësor dhe duke mos u garantuar një të ardhme të sigurt në vendin e tyre. Të rinjtë kanë mbajtur në duar edhe parullën “Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin mërgimtar”. Por simbolika e këpucëve e përdorur nga të rinjtë e forumeve opozitare nuk ishte origjinale, pasi është përdorur më parë në protesta në Maqedoni, por edhe në Francë në 2015 në samitin për klimën në Paris.

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi u shpreh se protestat e opozitës do të përshkallëzohen duke nisur nga pasditja e sotme me bllokimin e rrugëve dhe deri në 30 qershor, ku nuk do të lejohet zhvillimi i zgjedhjeve.

“Kemi ftuar të rinjtë që të marrin nga një palë këpucë të të afërmeve të tyre që kanë ikur në emigracion. Në vitet e fundit nga Shqipëria kanë ikur shumë të rinj, pasi nuk kanë shpresë dhe siguri. Ne kemi ardhur në formë paqeje sot, ftojmë policinë që të ftojnë edhe ata nga një palë këpucë dhe të lënë maskat me kundërgaz. Të rinjtë kanë ikur jo se Shqipëria po i afrohet BE-së, por po bëjmë hapa pas për shkak të një personi, kryeministrit të vendit dhe se u është vrarë shpresë.

110 mijë të rinj kanë lënë Shqipërinë në këto 6 vite. Rama premtoi 300 mijë vende pune, por në fakt 300 mijë shqiptarë plotësuan Lotarinë Amerikane. Apeli i drejtohet parlamenti për t’u ndaluar dhe menduar se përse kanë ikur të rinjtë, por edhe ekspertët. Rinia e këtij vendi nuk do të lejojë zgjedhje në 30 qershor. Ne sot pasdite përshkallëzojmë protestat” tha ai.

Protesta e sotme ishte simbolike, ndërsa deri tani opozita PD dhe LSI kanë zhvilluar nëntë protesta para Kryeministrisë dhe Parlamentit, ndërsa në 11 maj do të jetë e 10-ta para selisë së qeverisë.

Artikulli paraprakUDHËTIMET, SHQIPTARËT PËR PUSHIME NË VLORË, TIRANASIT DHE DURRSAKËT PRESIN ‘MYSAFIRË’
Artikulli tjetërBETOHEN DEPUTETI I ‘BINDJES DEMOKRATIKE’ DHE 5 TË TJERË (EMRAT)