Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe u është përgjigjur deklaratave të ish-kryeministrit Berisha lidhur me 21 janarin, duke e bërë atë përgjegjësin kryesor për ngjarjen e 5 viteve më parë.
“Më 21 janar 2011 u vranë 4 qytetarë që nuk përbënin asnjë rrezik për institucionet. Për këtë krim, personi që nuk duhet të fliste është kryeministri i atëhershëm”, ka thënë Braçe. Ai ka thënë se, Berisha është personi që duhet të japë një deklaratë zyrtare për ngjarjen, në cilësinë e personit që kishte marrë përsipër menaxhimin e shtetit. Më tej deputeti socialist ka hedhur kritika edhe ndaj institucioneve të drejtësisë, që nuk kanë hedhur dritë mbi këtë ngjarje, ndërsa ka përmendur edhe rolin e ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Lulzim Basha. “Berisha dhe Basha kanë dhënë versione të ndryshme atë ditë dhe në 5 vitet që vijuan”, ka thënë Braçe. Ai ka hedhur poshtë akuzat e atëhershme të Berishës se protestuesit u vranë nga elementë të armatosur të opozitës. “Ishte Garda e Republikës që me dashje, sipas një urdhëri, vrau 4 persona dhe plagosi të paktën 6 të tjerë”, ka thënë Braçe. “Si ka mundësi që ti, si njeriu që drejtonte Kryeministrinë, që drejtoje planet për mbrojtjen e Kryeministrisë, nuk je paraqitur asnjëherë në prokurori për të dhënë deklaratën tënde”, i është drejtuar Braçe Berishës. “Ti kontrollon gjykatat dhe nuk lejon të bëhet drejtësi dhe reforma në drejtësi”, ka shtuar ai.