Me gjithë polemikat e ashpra për 4 viktimat e demonstratës së 21 Janarit, kur vjen puna në gjykatë për dëmshpërblimin e familjarëve të tyre, si të djeshmit edhe të sotmit bien dakord në një qëndrim.

“Garda u detyrua të përdorte armët e zjarrit pas shpërthimit të portës hyrëse”. Ky nuk është një konstatim i opozitës, me të cilin jemi mësuar, por i Gardës së Republikës, që Top Channel disponon. Përmes këtij dokumenti kundërshtohen në Gjykatën Administrative, paditë e familjarëve të të ndjerit Faik Myrtaj dhe të familjarëve të Ziver Veizit. Së pari, Garda kërkon rrëzimin e padisë duke kujtuar se, në korrik të 2014-s, kryeministri Rama ka urdhëruar ngritjen e një grupi për vlerësimin e dëmit dhe, për sa kohë ka nisur një proces i tillë, paditësit duhet të prisnin një përgjigje. Duke shpjeguar vendimin e Gjykatës së Apelit, Garda citon se sulmi i protestuesve ka qenë i ashpër dhe efektivët e Gardës legjitimoheshin në përdorimin e armëve. “Mendojmë se Garda e Republikës nuk mund të përgjigjet për këtë dëm, pasi nëse efektivët e policisë do të kryenin detyrën më 21 janar 2011 duke shpërndarë turmën, atëherë sigurisht nuk do të kishte qenë e nevojshme që Garda të përdorte armët, e si pasojë e këtij përdorimi të vinin viktimat. Në asnjë rast nuk duhet të harrohet tensioni, stresi dhe goditjet që kanë qenë të vazhdueshme. Përgjegjës për këtë situatë është po aq, në mos më shumë sesa Garda, Policia e Shtetit, pasi paaftësia për menaxhimin e demonstruesve solli viktimat”. Më tej, Garda e Republikës kërkon që të rrëzohet kërkesa, duke iu referuar precedentit të 2001-shit në Genova, kur një protestues u vra nga Karabinieria gjatë takimit të G8-s.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprak“EURO 2016”, JA SA PËRFITOJNË FUTBOLLISTËT E KOMBËTARES SONË
Artikulli tjetërDEKLARATA E GARDËS, TAHIRI: 21 JANARI, KRIM SHTETËROR