“21 Janari”, Gjykata: Garda, fajtore për vetëvrasjen djalit të Myrtajt
Gjykata Administrative e Tiranës ka njohur si viktimë të pestë lidhur me demonstratën e 21 janarit 2011 edhe Bardhosh Myrtajn, i cili i dha fund jetës tre muaj pasi i ati Faik Myrtaj u vra në bulevard. Për këtë arsye, gjyqtarja Silvi Gjonçaj shprehet se Garda e Republikës duhet të dëmshpërblejë familjarët e kësaj familjeje edhe për vetëvrasjen e 22-vjeçarit, i cili ka qenë nën efektin e zisë patologjike. Avokati i familjarëve të viktimave të 21 Janarit, Dorian Matlia shpjegon për Top Channel vendimin e dhënë. “Konsideroj Gardën e Republikës fajtore, ekskluzivisht gardën dhe jo Policinë e Shtetit, sepse vrasjet erdhën nga garda. Gjykata ka njohur edhe viktimën e pestë, djali i Faik Myrtaj, që ka kryer një vetëvrasje në kushte të rënda psikike si pasojë e vrasjes së të atit. Prandaj, garda do të paguajë dëmshpërblim jo vetëm për personat që i dimë, por edhe për një person të pestë”, deklaron Matlia. Ndërsa qeveria ka dhënë 1.2 milion dollarë si dëmshpërblim për familjarët e të vrarëve në bulevard në zbatim të katër vendimeve të Gjykatës Administrative që nuk janë apeluar në shkallën e dytë nga pala e paditur, Garda e Republikës. Konkretisht gjykata ka dëmshpërblyer trashëgimtarët e të ndjerit Faik Myrtaj, bashkëlidhur edhe për të birin e vetëvrarë; trashëgimtarët e Ziver Veizit; vëllezërit dhe motrat e të ndjerit Hekuran Deda dhe fëmijët e tij. Ndërkohë që janë nën gjykim tre dosje të tjera për vëllezërit dhe motrat e Ziver Veizit, për të gjithë familjarët e të ndjerit Aleks Nika dhe vëllezërit e motrat e Faik Myrtaj. E kontaktuar nga Top Channel, avokatja e familjarëve të të ndjerit Aleks Nika tha se, verdikti nga Gjykata Administrative pritet të shpallet në datën 30 janar, çka do të thotë sipas saj se, ata nuk janë përfshirë në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për 21 Janarin. Për ngjarjen e 21 janarit të 6 viteve më parë, përveç procesit penal në Shqipëri ka edhe 7 procese civile dhe një tjetër në Strazburg për Aleks Nikën, vrasja e të cilit nuk ka ende autor.