Nga Rami Memushaj
21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, që kremtohet në të gjitha vendet e botës. Qëllimi i caktimit nga UNESCO-ja të kësaj dite si dita e gjuhës amtare ka qenë vlerësimi i gjuhës si mjeti më i rëndësishëm për
ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës së çdo populli dhe i nevojës për të nxitur lëvrimin e gjuhëve amtare të popujve dhe të etnive dhe të popujve të botës, të cilat janë pjesë e thesarit kulturor të njerëzimit.
Duke u ndalur këtë ditë te gjuha shqipe, si gjuha amtare e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, vërejmë me kënaqësi se statusi i saj këta 100 vjetët e fundit ka ardhur duke u rritur.
Nga gjuhë e ndaluar nën pushtimin otoman, me shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, ajo u bë gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, ndonëse mbeti gjuhë e ndaluar për pjesën tjetër të kombitqë u bënë me dhunë pjesë e shtetit grek dhe e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Kjo gjendje u përmirësua pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe hapën shkolla të të gjitha niveleve deri te Universiteti i Prishtinës dhe katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit.
Me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, shqipja në këto troje u ngjit në shkallën e gjuhës zyrtare rajonale në Kosovë dhe të gjuhës zyrtare paralele në Maqedoni. Këtë fillim shekulli, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, shqipja u bë gjuhë zyrtare kryesore, ndërsa në Maqedoni që nga vitet ’80 të
shekullit të kaluar e deri një vit më parë, shqipja ra në statusin e gjuhës rajonale të papërkrahur nga shteti. Po vitin e kaluar, me miratimin nga parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe, kjo u njoh si gjuhë zyrtare rajonale, pra fitoi status zyrtar, po jo me të njëjtin status me maqedonishten, sikundër ia kishte njohur kushtetuta jugosllave.
Përtej këtyre trevave, në Mal të Zi shqipja ruan statusin që ka pasur, si gjuhë rajonale e përkrahur nga shteti; në Greqi për popullsinë e trevave shqiptare brenda kufijve të këtij shteti dhe për arbërorët shqipja është
gjuhë e papërkrahur nga shteti, por jo e ndaluar të mësohet nga fëmijët e emigrantëve; në Itali shqipja është gjuhë e përkrahur e pakicës arbëreshe dhe e lejuar të mësohet nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë, ashtu si në gjithë Europën; kurse në Turqi shqipja nuk mësohet nga fëmijët e emigrantëve.
Gjuha shqipe ka përparuar shumë këta njëqind vjet edhe për sa i përket shkallës së përpunimit të saj. Nga gjuhë me disa variante letrare e dy gjuhë zyrtare (toskërishtja në Shqipëri, gegërishtja në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi), prej vitit 1972 ajo është ngritur në shkallën e gjuhës letrare kombëtare, të pranuar nga të gjitha pjesët e kombit.
Ishte Konsulta e Prishtinës eprillit 1968 ajo që hodhi hapin e madh të bashkimit gjuhësor, kur intelektualët shqiptarë të atjeshëm, të udhëhequr nga motoja “një komb – një gjuhë letrare”, shpallën se shqiptarët në Jugosllavi pranonin “si gjuhë të vetën letrare gjuhën letrare të vendit ëmë”.
Kongresi i Drejtshkrimit e sanksionoi këtë vendim të tyrin, duke shënuar në këtë mënyrë fundin e periudhës kur shqipja shkruhej në disa variante dhe fillimin e jetës kombëtare shqipes letrare.
Periudha nga Kongresi i Drejtshkrimit e deri më 1990 vlerësohet nga të gjithë si periudha e përpjekjeve për zotërimin dhe përdorimin e normave të gjuhës letrare në të gjithë veprimtarinë ligjëruese të shkruar e të folur.
Në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë Konsulta u vuri detyrë shkollës enteve botuese, redaksive e gazetave dhe administratës zbatimin e normën letrare; kurse në Shqipëri, zbatimi i normave të gjuhës letrare nga shkolla, entet botuese dhe administrata shtetërore u bë i detyrueshëm me një vendim të vitit 1978 të Këshillit të Ministrave.
Pas viteve ’90, me përmbysjen e sistemeve politike njëpartiake dhe kalimin në pluralizëm, u vu re një rënie e theksuar e kujdesit për gjuhën nga të gjithë, nga shteti e shoqëria, që u pasua edhe me kontestime të gjuhës letrare e me përpjekje për krijimin e gjuhëve të reja letrare.
Në praktikën e ligjërimit të shkruar e të folur, për fat të keq, kjo gjendje vijon edhe në ditët tona, kur vijon mungesa e pafalshme e kujdesit të shtetit për gjuhën, ndonëse kushtetutat e të dy shteteve shqiptare e shpallin mbrojtjen e gjuhës si detyrim shtetëror.
Sa pak e mbrojmë gjuhën shqipe, kjo duket po ta krahasojmë gjendjen në këtë pikë me vendet fqinje. Maqedonia e Veriut ka një ligj për gjuhën i cili parashikon sanksione të rrepta për shkelësit e tij – institucione, redaksi apo ente botuese. Kurse as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë ende një ligj për gjuhën, ndonëse projektligji përkatës është depozituar prej kohësh në të dy kuvendet.
Si pasojë e mungesës së kujdesit shtetëror për gjuhën, në botimet, në gazetat e revistat, në televizionet dhe në dokumentacionin zyrtar vërehen shkelje të pafalshme të normave të gjuhës letrare.
Më e dukshme kjo dukuri e shëmtuar është në fushën e fjalorit, ku vërehet një vërshim i fjalëve të huaja të panevojshme, madje i fjalëve “kopile”, si realizoj, akses e aksesoj, tentoj, mesazh etj., të cilat po e drunjëzojnëe po e venitin gjuhën, duke u zënë vendin dhjetëra fjalëve të bukura shqipe që përdoren në kontekste të ndryshme sintaksore;
edhe në fushën e drejtshkrimitmospërdorimi i shkronjave ë dhe ç është tregues i injorancës kompjuterike, po edhe mungesë e respektit për alfabetin tonë, për shkronjat e të cilit është derdhur gjak. Në televizione po sundojnë modele akcentologjike të huaja, duke i theksuar fjalët e thjeshta e kompozitat në rrokjen e parë si në anglishte,
kur modeli theksor i shqipes kërkon theksimin fundor të fjalës, veçanërisht të fjalëve të përbëra, në të cilat pa asnjë përjashtim theksohet përbërësi i dytë. Ky model i huaj theksimi ka prishur edhe melodinë dhe metrikën e frazës, që nuk tingëllon më si shqip, po si një surrogat shqip-anglisht-italisht.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, është rasti t’u drejtohemi shkollës, shtypit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në ligjërimin publik, me thirrjen që të tregojnë respekt për gjuhën tonë, e cila është tipari i vetëm që na dallon prej të tjerëve dhe na bashkon ne shqiptarët në një komb.
Thirrja jonë i drejtohet edhe shtetit që të kujdeset për gjuhën, në radhë të parë, duke miratuar ligjin përkatës, i cili do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve, duke krijuar një mjedis të pastër nga ndotjet gjuhësore e shkeljet e normave të gjuhës letrare. Dhe deri në miratimin e këtij ligji jemi të mendimit që shteti të kthejë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 1978.