Sot është 23 vjetori i vrasjes të një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit. Në 12 shtatorin e vitit 1998 teksa doli në selia e PD trupi i Azem Hajdarit, liderit të lëvizjes së nëntorit të 31 viteve më parë u mbush me plumba duke bërë të humbte jetën pas edhe disa atentateve të tjera të mëparshme. Në këtë 23 vjetori të ndarjes nga jeta kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtuesit demokratë kanë kujtuar sot ish-deputetin Azem Hajdari. Demokratët, në shenjë nderimi ndaj figurës së Hajdarit, kanë kryer homazhe në Memorialin e liderit të ‘Lëvizjes Studentore’, ndërsa kanë vendosur edhe kurora me lule. Përmes një mesazhi, lideri demokrat Basha theksoi se sot kujtohet njeriu që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci. Për herë të parë në nderimin që i bëhet Azem Hajdarit mungoi lideri historik i PD Sali Berisha, kjo pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD. Ndërkohë Presidenti Ilir Meta gjithashtu ka kujtuar ish-deputetin Azem Hajdari në këtë 23 vjetor nga vrasja e tij. Përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’, kreu i shtetit shprehu mirënjohje për veprën e Hajdarit, si udhëheqës i ‘Lëvizjes Studentore’, që solli pluralizmin politik dhe demokracinë. Një foto dhe mesazh prekës ka shpërndarë vajzat e Azem Hajdarit, ish deputetja e PD Rudina Hajdari duke e cilësuar babain e saj si një njeri luftarak, idealist dhe ëndërrimtar, veti që sipas saj nuk hasen në skenën politike shqiptare. Sipas Hajdarit, nëse babai i saj do të ishte gjallë, ai do të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë me energjinë që kishte. “Kur Azem Hajdari doli nga godina e PD mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, ai nuk e dinte se nuk do të kthehej më. Azemi ishte luftarak, idealist, guximtar dhe ëndërrimtar. Veti këto të cilat nuk i kemi parë më në skenën politike shqiptare. Ëndrra e tij ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike, ku njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre me besim e pa frikë për të ardhmen e fëmijëve. Fatkeqësisht kjo ëndërr ende nuk është bërë realitet. Kur i sheh sot të ankohen për mungesë demokracie brenda partive të tyre, të vjen të qeshësh e të qash njëkohësisht. Aq keq është dëmtuar shteti shqiptar nga ata që e drejtuan këto 30 vite, aq shumë i kanë shtrembëruar mekanizmat demokratikë, aq shumë i kanë vendosur në kontroll të gjitha burimet e vendit, saqë shoqëria e ka të pamundur sot të vetëkorrigjohet dhe u duhet patjetër ndihma e aleatëve si SHBA të cilëve u duhet të përdorin peshën e rëndë të reputacionit dhe mekanizmat e tyre penalizuese në betejën për të ndërtuar një shtet të vërtetë shqiptar”, shkruan Rudina Hajdari në 23 vjetorin e vrasjes së babait të saj.

Artikulli paraprakMURIQAN, ULET FLUKSI I RRADHËVE KILOMETRIKE
Artikulli tjetërEMIGRANTËT SJELLIN MË SHUMË PARA, NË 6 MUAJ 340 MILIONË EURO