“Nuk mund të ketë asnjë trajtim të veçantë për ata që shkelin ligjin dhe pengojnë votën e lirë”, ishte mesazhi i Ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim për institucionet që garantojnë lirinë e votës dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe hetojnë krimet zgjedhore.
Këtë mesazh të SHBA, Kim ia përcolli Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela që u takua ditën e hënë, por edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu me të cilin u takua më herët.
Kim shkruan në twitter se do të takohet edhe me shefin e SPAK, Arben Kraja, ku në qendër të diskutimeve do të jetë procesi zgjedhor i 25 prillit. SPAK është edhe organi kompetent për të hetuar krimet zgjedhore.
“Unë u takova me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela të hënën dhe do të takohem së shpejti me shefin e SPAK, Arben Kraja. U takova dje me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Mesazhi i SHBA: Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen plotësisht. Asnjë trajtim i veçantë. Pa përjashtime. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Kim në twitter.
Më 19 prill, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim është takuar edhe me kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ku i kërkoi polici profesionale dhe të paanshme për zgjedhjet e 25 Prillit. Në zgjedhjet parlamentare të së dielës do të angazhohen rreth 8000 efektivë policie për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në gjithë vendin.