Policia pakistaneze ka arrestuar 25 pjesëtarë të një këshilli jo zyrtar fshati, të akuzuar se kanë urdhëruar përdhunimin e një vajze 16 vjeçare, në shenjë hakmarrje ndaj të vëllait, që akuzohet për përdhunimin e një tjetër vajze.

Më herët këtë muaj, një këshill lokal në qytetin jugor Multan, ishte mbledhur pasi një familje akuzoi një djalë 16 vjeçar se kish përdhunuar fqinjën 13 vjeçare. Këshilli vendosi që motra e djalit të akuzuar, duhej ti dorëzohej vëllait të viktimës e të përdhunohej. Dënimi u krye më 17 korrik, pasi familja e saj dorëzoi vajzën.

Policia lokale bëri të ditur ndërkohë se 25 vetë ishin arrestuar, nga një total prej 29 personash, që besohet se janë përfshirë në ngjarje. Rasti u vu në qendër të vëmendjes pasi të dyja familjet paraqitën padi. Gjykata supreme po ashtu kërkoi një raport për rastin, i cili ngjason me një rast tjetër në vitin 2002, kur një tjetër adoleshente u përdhunua në grup, nën urdhërat e këshillit lokal. Pakistani ka një traditë qindravjeçare të vetëdrejtësisë, të vendosur nga këshilla lokalë të moshuarish, që njihen si Jirga apo Panchajats, që nga shumë fshatra konsiderohen më të rëndësishme dhe më të besueshme se sistemi ligjor zyrtar, shpesh i korruptuar apo jo efikas. Në pjesën më të madhe të vendit Jirgat tolerohen por nuk njihen nga gjykatat dhe policia.

Artikulli paraprakVASILI “THUMBON” KRYEMINISTRIN: 4 VJET NË EMIGRACION, TANI PO NJIHET ME ATDHEUN
Artikulli tjetërURDHRI I RAMËS, DREJTORËT E HIPOTEKËS NË FIER E GJIROKASTËR DORËHIQEN SOT