Kisha katolike përkujtoi 25 vjetorin e ndarjes nga jeta të monsinjor Frano Ilia, ipeshkëvi i parë pas rënies së komunizmit. Në vitin 1993 gjatë vizitës së Papa Gjon Palit të II-të në Shkodër monsinjor Frano Ilia u shugura ipeshkëv nga Ati i Shenjtë në atë vizitë historike të tij në Shkodër. Në këtë 25 vjetor të ndarjes nga jeta të ipeshkëvit Frano Ilia, arqipeshkëvi i Shkodrës monsinjor Angelo Massafra kremtoi meshën e shenjtë duke përmendur se pavarësisht dënimit me pushkatim që më pas u shndërrua me burgim të përjetshëm asnjëherë nuk u mposht duke dëshmuar fenë e tij dhe lidhjen e fortë me Zotin.

Veç të tjerash arqipeshkëvi Massafra kujton vitin e errët 1997 në Shqipëri kur të gjithë morën armët në dorë duke shkatërruar gjithçka, ipeshkëvi Frano Ilia organizoi mbrojtjen e xhamisë së Shkodrës që të mos dëmtohej.

Monsinjor Frano Ilia, tha arqipeshkëvi Massafra është një shembull dhe mesazh i denjë për të gjithë katolikët e tjerë të cilët në ditët që jetojmë po rrezikojnë të shkëputen nga besimi dhe kisha.

Imzot Frano Illia lindi në fshatin Juban në Shkodër më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e Rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa më 25 prill 1968 u dënua me vdekje, dënim që iu kthye me burgim të përjetshëm. Datë e shënuar në jetën e tij është 25 prilli i vitit 1993, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, do të shugurohej ipeshkëv nga dora e Papa Gjon Pali II gjatë vizitës historike në Shqipëri. Për katër vite deri më 22 tetor 1997 shërbeu si Ipeshkëv i Shkodrës.

 

 

 

Artikulli paraprakPËR MË SHUMË SE 2 ORË NË ‘BLACKOUT’, WHATSAPP I RIKTHEHET NORMALITETIT
Artikulli tjetërPIROGRAFËT E VEÇANTË TË PROJEKTIT “SHPRESA”