“25 vjet Trupa Zgjedhore”, Meta: Të shpejtojmë reformën elektorale
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi përshpejtimin e punës për hartimin e reformës së re zgjedhore. Gjatë konferencës “25 vjet Trupa Zgjedhore Europiane”, në fokus ishte zhvillimi i proceseve zgjedhore të 25 viteve të fundit. Kryetaparlamentari Ilir Meta theksoi se Shqipëria ka shënuar hapa para në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve vitet e fundit. “Zgjedhjet e lira, janë të rëndësishme për t’i dhënë legjitimitet qeverisje. OSBE ka një rol të rëndësishëm në monitorimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Nevojitet përshpejtim i punës së komisionit të reformës zgjedhore, për të finalizuar në kohë reformën”, u shpreh Meta. Kryetari i Kuvendit uroi edhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën “Trupa Zgjedhore Europiane”. “Uroj Kosovën dhe kryetarin e saj, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë në Tiranë. Jam i bindur që eksperiencat tuaja do të na ndihmojnë edhe në kuadër të reformës që kemi”, theksoi kreu i Kuvendit, Meta. Për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton, sfidë mbetet depolitizimi i zgjedhjeve dhe barazia gjinore. “Depolitizimi të zgjedhjeve dhe barazi gjinore kuptimplotë. Zgjedhjet demokratike janë domosdoshmëri për vendin. Përfitoj nga rasti të theksoj se prezenca e OSBE do të vijojë të mbështesë autoritetet shqiptare për të organizuar zgjedhje që janë në përputhje të plotë me pritshmëritë e qytetarëve”, tha Wilton.