Janë dashur 27 vite që ish-të përndjekurit e kategorisë parësore të nisin procedurat e dëmshpërblimit të plotë për torturat dhe burgimet e padrejta gjatë regjimit komunist.
Zhivko Petroviç, aktualisht 60 vjeç kaloi 5 vite I mbyllur në zyrat e ish-sigurimit të shtetit si dhe në burgun e Burrelit. Gjatë studimeve në shkollën pyjore në Shkodër, në moshën 18 vjeçare, ai u ndalua teksa po largohej drejt ish-Jugosllavisë dhe u akuzua për tradhëti ndaj atdheut. Edhe pse formalisht u lirua në moshën 23 vjeçare frika e përndjekjes e ndoqi deri në vitet ’90. Pas shpalljes së pluralizmit, partia në pushtet u premtoi ish-të përnjekurve dëmshpërblim të plotë brenda 8 vitesh si dhe status të veçantë.
Muajin e ardhshëm, Petroviç shpreson që të mbyllë përfundimisht pritjen 27 vjeçare për pagesën që i takon. Në vendin tonë 17500 persona janë regjistruar si ish- të përndjekur politikë, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më dhe nuk arritën të marrin dëmshpërblimin që u takon. Nga ana tjetër, regjimi komunist pushkatoi 7300 persona nga të ciët, 750 gra. Familjarët e tyre akoma presin procedurat e dëmshpërblimit të plotë.