Ish-kryetari i Komunës së Hajmelit Lekë Bibaj dhe ish-arkëtari në atë komunë Dedë Kola janë dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim nga gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër.
Të dy ish-zyrtarët janë dënuar në mungesë sepse nuk ndodhen në Shqipëri momentalisht. Ish-kryekomunari Bibaj dhe vartësi i tij Kola akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”. Në seancën e fundit në gjykatën e shkallës së parë me 29 janar të këtij viti prokuroria e Shkodrës përmes prokurorit Arben Smaçi kërkoi që dy zyrtarët të dënohet me nga 4 vite burg secili si dhe I sugjeroi gjykatës që të pranojë kërkesën për gjyktim të shkurtuar. Ish-kryekomunari Bibaj dhe ish-arkëtari Kola akuzohen për një vlerë prej 12 milion lekësh të vjetra, shumë të cilën e kanë marrë dhe e kanë përdorur pas asnjë lloj dokumenti. Gjithçka ka nisur pas një kontrollit të Ministrisë së Financave në ish-komunën e Hajmelit vitin e kaluar teksa ka rezultuar se në arkë mungonin 12 milion lekë të vjetra. Menjëherë ka nisur hetimi dhe pas marrjes në pyetje ish-kryekomunari Bibaj ka pranuar se i ka marrë paratë por për t’i përdorur për komunën. Ajo shumë sipas Bibajt i është dhënë dy personave të cilët kishin kryer punime në shkollën 9-vjeçare të fshatit Nënshat në vitin 2007 dhe se që atëherë komuna ia kishte këtë borxh. Dy personat janë pyetur në lidhje me këtë çështje dhe kanë deklaruar në prokurori se pas 7 vitesh është shlyer borxhi nga ish-kryekomunari Bibaj teksa ka paguar dy herë me këste shumën prej 12 milion lekësh të vjetra. Nga ana e tij ish-arkëtari Dedë Kola ka deklaruar kur kanë nisur hetimet se i ka nxjerrë paratë nga arka me urdhër verbal të ish-kryekomunarit sepse i ka thënë se i duhen për nevoja urgjente për komunën. Mbrojtja kërkoi pafajsinë por pas shqyrtimit të provave dhe deklarimeve gjykata e Shkodrës vendosi dënimin me 4 vjet burg për dy të akuzuarit duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar nga ku ulet 1/3 e dënimit çka do të thotë se dënimi është 2 vjet e 8 muaj për secilin.