3000 trupa amerikane në Poloni, Rusia: Kërcënim për sigurinë
Mbërritjen e më shumë se 3.000 trupave amerikane në Poloni, Rusia e sheh si kërcënim ndaj sigurisë së saj. Forcat e dislokuara janë pjesë e përpjekjes së presidentit Barack Obama për t’i ofruar garanci shtesë aleatëve të NATO-s, të shqetësuar nga sjellja gjithmonë e më agresive e Moskës. Ky është përforcimi më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Europë prej dekadash të tëra. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov i tha BBC-së se, kjo lëvizje kërcënon interesat dhe sigurinë e Rusisë. “Është një vend i tretë që po shton praninë ushtarake në kufijtë tanë me Europën dhe nuk është as shtet europian”, u shpreh Peskov. Më shumë se 80 tanke dhe qindra autoblinda kanë mbërritur tashmë në Gjermani, prej nga do të dërgohen në Europën lindore. Brigada e blinduar amerikane do të kryejë gjithashtu stërvitje në shtetet balltike, edhe kjo pjesë e reagimit të Obamës ndaj ndërhyrjes ruse në Ukrainë dhe tentativës për të qetësuar partnerët nervozë të Aleancës së Atlantikut Verior. Plani është që forcat ushtarake të ndërrohen me rotacion çdo nëntë muaj. Dërgimi i tyre vjen vetëm pak ditë përpara ceremonisë së betimit të presidentit të zgjedhur të Amerikës, Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se dëshiron ngrohjen e marrëdhënieve me Moskë