Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka urdhëruar të gjithë administratën që ditën e shtunë dhe ditën e dielë, do të jenë në punë.
Në këtë urdhër thuhet se vjen në zbatim të dekretit të Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit. Voltana Ademi ka urdhëruar të gjithë administratën e bashkisë që të dalë në punë të shtunën, në ditën e heshtjes zgjedhore, dhe të dielën, ditën e votimeve të 30 qershorit, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00. Kjo është fasha orare e lejimit të votimit.
Urdhri i plotë:
“Mbështetur në Ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Rregulloren e Bashkisë Shkodër dhe në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr.11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr 10298 datë 05.11.2018 të Presidentit së Republikës së Shqipërisë “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Urdhëroj:
1) Caktimin e ditës së shtunë dhe të dielë si ditë pune për të gjthë punonjësit e administratës, njësive Administrative dhe institucioneve në varësi të Bashkisë Shkodër nga ora 07:00 deri në 19:00.
2) Organizimi i punës të përcaktuar nga secila drejtori dhe institucion.
Ngarkohen të gjithë punonjësit e Administratës së Bashkisë Shkodër, Njësitë Administrative (Velipojë, Bërdicë, Gur i zi, Dajç, Rrethina, Ana e Malit, Shalë, Shosh, Pult, Postribë) Institucionet e Varësisë, (Drejtoria e Shërbimit Bujqësor dhe Pyjor, Sportklub Vllaznia, Drejtoria Ekonomike e Kulturës, Drejtoria Ekonomike Arsimit, Teatri Migjeni, Drejtoria Cerdhe Kopshte).
3) Ky urdhri hyn në fuqi menjëherë.”