Çfarë mund ta bëjë vallë një këngë që t’i rezistoj kohës pa cunguar aspak dëshirën për t’u dëgjuar nga publiku?
Përkundrazi këngët e Elita 5 sot dëgjohen edhe më shumë. Prova më e mirë ishte koncerti i tyre i së premtes mbrëma që u hap me këngën “Mohikani i Fundit”
e që bëri bashkë fansa të të gjitha grupmoshave, të cilët kishin etje për këngët e grupit legjendar, për t’i kënduar dhe kërcyer.
Amfiteatri i Liqenit “u pushtua” mbrëmë si asnjëherë më parë nga shqiptarë të të gjitha trevave të cilët iu bashkuan një eventi muzikor të papërsëritshëm që shënoi 30-vjetorin e krijimit të Elita 5.
Një festë e madhe me qindra njerëz qe e bënë Amfiteatrin dhe hapësirën rreth tij të duket e vogël, të gjithë donin të shijonin spektaklin.
Tirana, të cilën grupi e konsideroi si kryeqendrën e Shqiptarisë dhe e përzgjodhi për të dhënë koncertin e parë për të festuar 3 dekada histori rroku, baladash legjendare nuk i zhgënjeu.
Teksa lideri i grupit Arif Ziberi, falënderoi publikun që iu bashkua koncertit dhe që zbukuroi mbrëmjen ai u shpreh se
Në karrierën time në vend më të bukur nuk kam bërë muzikë
Në vijim grupi shijoi mbrëmjen duke dhënë performanca magjike, pjesë e të cilave u bë edhe publiku, duke kënduar bashkë me ta.
Kulmin e mbrëmjes e shënoi ajo këngë që Elita5 e ka konsideruar si pasaportën e tyre dhe që mund të thuhet pa mëdyshje se është një nga pjesët më të dashura për publikun shqiptar sot e 25 vite të realizimit të saj.
Këngë të tjera, si “Çmendem”, “Faleminderit”, “Më fal” etj., shkrinë si me magji barrierat e kohës. Një koncert madhështor ai i së premtes mbrëma, ku Elita 5, vuri në dukje etjen e shqiptarëve për evente të tilla, art të përzgjedhur dhe organizim të mirë.