Sot është 33 vjetori i 14 janarit 1990, kur në Shkodër u zhvillua demostrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Edi Paloka, kryetar i këshillit kombëtar të PD deklaroi se edhe sot pas 33 vitesh Edi Rama, një pinjoll komunist kërkon që të fitojë Shkodrën si bastionin më të fortë të PD.
Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia u shpreh se 33 vjetori i 14 janarit duhet të shërbejë që gjithë demokratët të bashkohen për t’i dhënë fitoren PD në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kryetari i shoqatës 14 janari Gjergj Livadhi dhe Besim Ndregjoni, kryetar i shoqatës së ish të përndjekurve politik kërkuan bashkim të demokratëve dhe të mos lejohet manipulimi i historisë nga komunistët.
33 vite më parë, më 14 janar 1990 një grup të rinjsh shkodran organizuan demostratën e heshtur për rrëzimin e bustit të Stalinit në qendër të qytetit të Shkodrës. Busti edhe pse nuk u arrit të rrëzohej, kjo lëvizje e parë kundër komunizmit i hapi rrugë protestave që vijuan më pas deri në largimin e sistemit komunist.