Në Tiranë u zhvillua forumi biznesit organizuar nga dhoma e tregtisë Shqipëri-Itali, nga ku kryeministri Edi Rama foli për nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve tregtar. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku dhe zëvendësministri i punëve të Jashtme i Italisë, Edmondo Cirielli nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për përmirësimin e rrjetit energjetik në veri të Shqipërisë.
“Me anë të kësaj marrëveshje shteti shqiptar do të marrë një hua prej 35 milionë euro dhe përmes kësaj huaje ne do të zhvillojmë një projekt, i cili konsiston në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke i ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike”, tha Balluku. Zëvendëskryeministrja, Balluku u foli edhe për situatën aktuale të shitjes së energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
“Ne duam të shpresojmë, pavarësisht se energjia është një treg i pa parashikueshëm tashmë, duam të shpresojmë që viti 2023 do jetë një vit më i qëndrueshëm. Një vit ku trendi është në rënie, i çmimeve, ka prej kohësh që është stabilizuar si çmim për megavatorë, por nga ana tjetër shpresojmë për shkak të kushteve atmosferike dhe situatës së favorshme që kemi në kaskadën e Drinit, viti 2023 të jetë një vit i qëndrueshëm ku ne të kemi mundësi që të rrisim kapacitetet financiare për investime në fushën energjetike”, shtoi ajo.