38 të vdekur nga vala e të ftohtit në Evropë, acar polar në Ballkan
Vala e të ftohtit që ka prekur Evropën që prej javës së kaluar, me temperatura polare, ka shkaktuar të paktën 38 të vdekur, pjesa më e madhe në Poloni. Kjo valë e të ftohtit e ardhur nga Skandinavia ka shkaktuar aksidente të shumta rrugore, ashtu si në Francë, ku katër shtetas portugez kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur në një aksident që ndodhi dje. Të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga i ftohti dje në Poloni ku temperaturat kanë arritur deri në – 20 gradë Celsius në disa rajone”, njoftoi sot Qendra qeveritare e Sigurisë Kombëtare (RCB). Rreth 10 persona të tjerë kishin humbur jetën të premten dhe të shtunën në vend. Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të rriten lehtë në ditët e ardhshme në Poloni, por do të qendrojnë nën zero. “Në Republikën çeke, vala e të ftohtit ka shkaktuar të paktën gjashtë të vdekur që prej të premtes, pjesa më e madhe të pastrehë”, njoftuan autoritetet. Katër prej tyre kanë humbur jetën në kryeqytet, në Pragë, ku temperaturat kishin zbritur deri në -15 gradë Celsius dhe dy të tjerë, një prej të cilëve sllovak, në Brno dhe Karvina, në lindje të vendit. Vala e të ftohtit ka filluar të ulet në Evropën perëndimore, por vazhdon të jetë ftohtë në Itali ku dy të vdekur të tjerë janë njoftuar nga shtypi, një 82-vjeçar dhe një 78 vjeçar. Shtatë persona, pesë prej të cilëve të pastrehë, kanë humbur jetën gjatë fundjavës në Itali ku shkollat në shumë zona vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të borës dhe ngricave, veçanërisht në malet në malet Abruzzes (centre), por gjithashtu në Pulia dhe në Kalabri, gjithahstu dhe në Palermo Në Ballkan, temperaturat janë ulur deri në -28 gradë Celsius këtë fundjavë në Maqedoni dhe një i pastrehë 68 vjeç është gjetur i vdekur në një lagje të kryeqytetit, Shkup. Në Serbi, temperatura më e ulët u regjistrua dje në qytetin e Sjenicas, në jugperëndim me -33 gradë Celsius dhe lundrimi në Danub dhe Sava është ndërprerë. Në Beograd, dhjetëra migrantë të bllokuar nga mbyllja e rrugës së Ballkanit janë strehuar në depot e braktisura në afërsi të stacionit të trenit, për shkak të temperaturave që kanë arritur deri në -15 gradë Celsius. “Është shumë ftohtë, kryesisht natën”, thekson Niamat Khan, një adoleshent afgan 13 vjeç. “Po pres që prej tre muajsh dhe nuk e di se kur do të mund të vazhdoj udhëtimin tim”, shtoi ai. Këta migrantë refuzojnë të futen në qendrat zyratare të pritjes nga frika se mos kthehen drejt vendeve, nëpërmjet të cilave kanë hyrë në Serbi (Bullgari apo Maqedoni). “Askush nuk na ndihmon, është shumë ftohtë dhe më pyesin se si do të mund ta durojmë këtë situatë”, thekson Ismail Khikimi, një tjetër afgan 16 vjeç. Në Greqi, qindra refugjatë dhe migrantë të bllokuar në ishuj që vuajnë nga i ftohti kanë vetëm tenda për tu mbrojtur nga dëbora. Në kampin e Morias, më shumë se 2 500 persona jetojnë në tenda, pa ngrohje dhe ujë të ngrohtë, duke përfshirë këtu fëmijë, gra dhe persona me aftësi të kufizuara”, konfirmoi Apostolos Veizis, një zyrtar i OJQ-së, Mjekët pa Kufi për radion Vima. Në Bjellorusi, dy persona kanë humbur jetën nga i ftohti. Termometri, pasi ka rënë deri në -30 gradë Celsius gjatë fundjavës, ka arritur në -15 gradë Celsius sot. Termometri arriti deri në -25 gradë Celsius në Moskë ku më shumë se 500 çiklistë guximtarë sfiduan temperaturat shumë të ulëta, që arritën deri në -27 gradë Celsius. Në Turqi, reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë Stambollin për të tretën ditë radhazi kanë shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve dhe bllokimin e mijëra udhëtarëve. Kompania ajrore “Turkish Airlines” ka anuluar sot 227 fluturime me nisje nga dy aeroportet e Stambollit. Trafiku në Bosfor, një prej më të ngarkuarve në botë, është ndërprerë plotësisht.