Në një ditë të hapur të zhvilluar në Shkodër nga Avokati i Popullit, shoqata të ndryshme por edhe individë shprehën disa shqetësime. Mungesa e ndërhyrjeve nga dentistët për fëmijët me aftësi ndryshe apo edhe mungesa e rampave për tetraplegjikët dhe paraplegjikët janë probleme që kërkojnë zgjidhje.
Fatbardha Bala, tezja e një vajze me aftësi ndryshe tregon se mbesa e saj nuk po arrin të regjistrohet në universitet edhe pse ligji ia mundëson këtë gjë. Shqetësuese mbetet edhe kur prindërit i lënë në shoqata personat me aftësi ndryshe dhe pas disa vitesh kujtohen duke kërkuar t’i marrin për disa kohë edhe pse gjykata ia heq këtë të drejtë.
Pjesë e një problemi të pazgjidhur është edhe transporti i invalidëve të punës në autobuzët urban të qytetit të Shkodrës.
Alket Jaupaj, ndihmës komisioner pranë zyrës së Avokatit të Popullit shprehet se të gjitha ankesat shqyrtohen në kohë dhe janë rreth 20% e rasteve që zgjidhen nga 3800 ankesa që janë brenda një viti.
Këto problematika janë adresuar edhe më përpara pranë Avokatit të Popullit por një pjesë kryesore e tyre sa i përket Shkodrës nuk kanë arritur të marrin zgjidhje. Dita e Hapur me institucionin e Avokatit të Popullit në Shkodër u zhvillua në kuadër të projektit IPA i mbështetur nga BE.