4 mln € drogë nga Shqipëria në Itali, 6 vite burg për 2 skafistët
Më shumë se 400 kg marijuanë të sekuestruara mbrëmjen e 17 gushtit në një skaf në ujërat e Torre Rinalda të Leçes në Itali, ka sjellë arrestimin e dy italianëve nga Brindisi, Antonio Lococciolo, 66-vjeç, dhe Antonio Zecca, 51-vjeç. Droga, në skafin që vinte nga brigjet shqiptare vlerësohet se do sillte të ardhura prej 4 milion eurosh. Dje, gjykata italiane e Brindisit i dënoi dy Antoniot me 6 vite burgim gjithsej, me gjykim të shkurtuar, dhe një gjobë prej 20 mijë euro secili. Avokatët e të pandehurve kanë apeluar vendimin. 408 kg marijuanë janë gjetur ekzaktësisht në skafin që vinte nga Shqipëria. Sasi, nga e cila vlerësohet se do të nxirreshin 827 mijë doza të vogla. Skafi ecte me shpejtësi dhe me drita të fikura drejt brigjeve pulieze, duke ndryshuar shpesh drejtimin. Pasi është arritur nga mjetet lundruese të Guardia di Finanza, skafistët kanë hedhur në det një pjesë të ngarkesës së drogës, por që rikuperua nga efektivët.