4 vjedhje janë shënuar në qarkun e Shkodrës brenda 24 orëve. Shifrat janë zyrtare nga policia e shtetit.

3 prej këtyre vjedhjeve janë në Shkodër ndërsa një tjetër në rrethin e Pukës. Kështu policia raporton se me datën 7 maja shtetasi E.S 65 vjeç, banues në fshatin Dobraç ka bërë kallëzim se në lagjen “Vojo Kushi” i kanë vjedhur motorin tip “Piaggio”. Policia ende nuk ka zbardhur këtë ngjarje dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Rasti i dytë është një tentativë për vjedhje në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” teksa shtetasi Gj.Sh 52 vjeç ka bërë një kallëzim sepse kanë tentuar që t’i vjedhin banesën por nuk ia kanë arritur qëllimit. As ky rast nuk është zbardhur nga efektivët e Shkodrës dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po me datë 7 maj policia e shtetit bën të ditur se gjatë natës në fshatin Vrith të rrethit Pukë janë thyer duke u vjedhur banesat në të cilat nuk jeton askush dhe janë në pronësi të shtetasve Z.F dhe Z.F 54 dhe 87 vjeç.

Në ndërtesat e pabanuara janë vjedhur bobinat e një saldatriçeje dhe 30 metër linear kabull elektrik. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Rasti i katërt është shënuar në datën 8 maj ku në fshatin Gajtan të njësisë Guri Zi është konstatuar e vjedhur me thyerje banesa e shtetases M.K 58 vjeçe. Hajdutët kanë marrë një shumë lekësh të konsiderueshme aty dhe disa bizhuteri me vlerë duke u larguar në drejtim të paditur.

Ende nuk dihen autorët nga forcat e policisë ndërsa ashtu si për tre rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Në këtë mënyrë tashmë vjedhjet në Shkodër janë kthyer në një fenomen të rrezikshëm dhe rastet janë gjithnjë e në rritje. Qytetarët janë më të frikësuar ndaj këtij fenomeni dhe të pasigurtë për banesat apo pasuritë e tjera që mund të kenë.

Artikulli paraprakZGJEDHJET E 18 QERSHORIT, 3 451 896 VOTUES THIRREN PËR TË VOTUAR
Artikulli tjetërTRANSPORTI, “KONKURRENCË E PANDERSHME, TË NDËRHYJË POLICIA”